
TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga aktiviteti i Ylli dhe Pjerin Brahimajt, babë e bir, të arrestuar një ditë më parë, të cilët kishin krijuar një dhomë të fshehtë në banesën e tyre të përshtatur si laborator të prodhimit të pasaportave, kartave të identitetit, patentave e deri te certifikatat e pronësisë, të gjitha false.
Laboratori i ngritur në një ambient të fshehtë, pas dollapit të rrobave ku edhe falsifikoheshin dokumentat dhe pasaportat raportohet se kishte një mekanizëm të sofistikuar për hapjen e derës. Gjatë kontrollit në banesë, Policia, e cila nuk ishte në dijeni të mekanizmit, shpërtheu derën hyrëse, e inkorporuar në dollapin e rrobave.
Konkretisht pranë derës ndodhej një çelës normal dritash dhe një prizë. Që dera të hapej, duhej që në prizë të futej një karikues i thjeshtë celulari dhe mjaftonte të shtypej çelësi, dhe dera e fshehtë hapej.
Babë e bir falsifikonin dokumentat dhe pasaportat që më pas shiteshin për 15-20 mijë euro. Sipas Policisë, këto pasaporta dyshohet se përdoreshin për kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian ose SHBA. Ylli Brahimaj e bënte këtë aktivitet gjatë kohës që ishte në masë “arresti shtëpie” nga SPAK. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse dokumentet janë përdorur jashtë vendit apo janë pjesë e një rrjeti më të gjerë falsifikimi ndërkombëtar./ZËRI