ELBASAN-Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan–Korçë), nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka ndaluar një efektiv policie të dyshuar për fajde dhe kanosje me dhunë. Në pranga ka rënë Nënkomisari Edison Pema me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan. Pema dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në kuadër të një skeme fajdesh.
Konkretisht Pema i kishte dhënë hua 7 mijë euro një personi dhe i merrte kamatë çdo javë 2 mijë euro. Në total borxhi kishte arritur vlerën mbi 100 mijë euro interesa. Përveç interesit mujor të jashtëligjshëm, Pema kishte marrë peng 5 automjete në pronësi të viktimës, duke ushtruar mbi të kanosje dhe presion të vazhdueshëm për të siguruar kthimin e shumës me përfitime të larta.
NJOFTIMI:
Në kuadër të operacionit “Last rent” zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë), nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Elbasan, u ndalua punonjësi i policisë N/Komisar E. P., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Në vijim të hetimeve të thelluara me metoda speciale u bë i mundur ndalimi i këtij punonjësi, i cili i jepte hua (fajde) personave të ndryshëm dhe më pas nëpërmjet kanosjes ose dhunës i shtrëngonte këta të fundit për kthimin e vlerave të konsiderueshme të parave.
Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan 5 automjete të vitprodhimeve të fundit në pronësi të personave të ndryshëm. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./ZËRI