
TIRANË- Ngjarje të tilla të shëmtura, herë të dokumentuara dhe herë jo, janë pikërisht ato që kanë dhënë një goditje për turizmin këtë vit. Një shembull se çfarë e dëmton turizmin është episodi me protagonist Vasil Bedinaj, pronari i 'Regina Group', i cili ka qëlluar sot me grusht një pushues. E gjitha me pretendimin se i kishte zënë hapësirën e tij private në plazh.
Edhe pse pushuesi e kishte informuar se në plazh ishte me familjen, ky detaj as nuk e ka prekur dhe as nuk e ka zbrapsur biznesmenin që e kishte rrethuar me 4 vetë pushuesin. Ajo që e bën edhe më absurde ngjarjen është fakti që Bedinaj është kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistik për Jugun e Shqiperisë “ATA”. Madje vetëm pak javë më parë ka dalë në media për të komentuar këshillat e kryeministrit Edi Rama për mbarëvajtjen e sezonit dhe uljen e çmimeve.
"Sot që ndërhyri kryeministri që është për t'u përshëndetur, por urdhëri i tij u keqmenaxhua në terren sepse ai tha vërtetë lironi plazhet publike por nuk u dha lirojeni në orën 10 të mëngjesit kur ishin turistët e mirë. Mund të shkonin në 5 të mëngjesit të kryenin punën e vetë dhe në 8-9 të kishin ikur që aty. Por këta kur ankohet privati, apo operatorët turisttikë, nuk e vënë ujin në zjarr. Në momentin që u shkruan mbreti, nuk dinë më ku të fusin kokën,"-thoshte Bedinaj në një intervistë të dhënë për "A2CNN". Por, teksa duhet të ishte shembull për të gjithë operatorët e tjerë, duket se vetë ka zgjedhur shembullin e Mihal Kokëdhimës, i cili u bë i famshëm disa vite më parë për sjelljen e tij me turistëve, të cilëve iu ngjit në xhamin e makinës dhe i përndiqte për një faturë të papaguar.
Në këtë rast, e reja është që ka pasur edhe dhunë fizike. E gjitha në sy të pushuesëve të tjerë që mesiguri janë larguar nga zona pas incidentit. Tek e fundit grushti dhe pushimet nuk kanë lidhje bashkë...
Vasil Bedinaj është pronar i rrjetit të hoteleve e restoranteve “Regina”.
Por problemet me ligjin nuk i ka për herë të parë. Në dhjetor të vitit 2023, Bedinaj u hetua në gjendje të lirë nga policia, pasi u konstatua duke ndërtuar pa leje në në zonën e Radhimës. Ndërtimi do të bëhej për katin e 6, ndërkohë që leje kishte vteëm për 5 kate. Gjithashtu edhe në vitin 2016, kur Vasil Bedinaj po tentonte që të përfshihej edhe në politikë, u bë shënjestra e një atentati të dështuar me eksploziv C-4 në zonën e “Liqenit të Thatë,’ në Tiranë. Asokohe ai kandidonte si kandidat i pavarur për bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e 21 qershorit 2015.
Deri më tani, edhe pse ngjarja e ndodhur në plazh është bërë publike, ende nuk ka asnjë reagim nga Policia e Vlorës. Mesa duket, videoja e dhunës nuk ka mbërritur akoma tek uniformat blu të qytetit bregdetar./ZËRI