
VLORË- 'Mihal Kokëdhima' rikthehet në jug, por me fytyrën e një biznesmeni tjetër. Kësaj herë është Vasil Bedinaj, biznesmeni nga Vlora, i cili filmohet duke goditur me grusht një qytetar pas një debati për hapësirën në plazh. Siç duket edhe nga videoja e mëposhtme, biznesmeni dhe personat që e shoqërojnë nisin të debatojnë më qytetarin për një zonë të zënë në plazhin privat. Sapo qytetari i thotë që është në plazh me familjen, pikërisht në këtë moment, biznesmeni e qëllon me grusht.
"Unë vij me familje këtu ti...,"-e më pas, qytetari tenton që t'i afrohet për ta qëlluar edhe ai, ndërsa gjithë kohës i përsërit: Kë qëllon ti?
Ndërkohë që e gjithë ngjarja zhvillohet para turistëve, një zonjë filmon të gjithë skenën.
"Ja, ja, video. Bravo, bravo!"
MOMENTI I DHUNËS ME VIDEO:
Vasil Bedinaj është pronar i rrjetit të hoteleve e restoranteve “Regina”. Në dhjetor të vitit 2023, Bedinaj u hetua në gjendje të lirë nga policia, pasi u konstatua duke ndërtuar pa leje në në zonën e Radhimës. Sipas bluve të qytetit bregdetar, në një objekt në ndërtim në zonën e Radhimës, ku Bedinaj është investitor, po kryheshin punime jashtë lejes së miratuar nga organet kompetente.
Ndërkohë që në vitin 2016, kur Vasil Bedinaj po tentonte që të përfshihej edhe në politikë, u bë shënjestra e një atentati të dështuar me eksploziv C-4 në zonën e “Liqenit të Thatë,’ në Tiranë. Asokohe ai kandidonte si kandidat i pavarur për bashkinë e Vlorës në zgjedhjet e 21 qershorit 2015. Ndërsa prej vitit 2009, ai është kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistik për Jugun e Shqiperisë “ATA”. Por, shpresojmë që metodën e trajtimit të klientëve të mos e ketë ndarë edhe me operatorët e tjerë./ZËRI