
TIRANË- Besimtarët e krishterë katolikë festojnë sot Pashkën, e cila simbolizon ngjalljen e Krishtit. Në mesnatë në katedralen e Shën Palit në Tiranë, u mbajt mesha e cila u drejtua nga imzot Arjan Dodaj.
Pashkët janë kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit.
Arqipeshkevi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra ka ndarë gjithashtu gjatë pasdites së djeshme një mesazh urimi për të gjithë besimtarët katolikë në vigjilje të Pashkës Katolike.
Massafra përcolli një mesazh shprese dhe paqeje, ndërsa foli edhe për luftërat në Ukrainë e Rripin e Gazës.
“Shumë të dashur vëllezër dhe motra, ju mbërrittë tek ju mesazhin tim i përzemërt me rastin e Pashkës së këtij viti 2024. Është një mesazh paqeje dhe shprese, që dëshiroj t’ju mbërrijë të gjithëve ju, familjeve tuaja, si edhe personave tuaj të shtrenjtë që keni larg, që gjenden në situata të dhimbshme dhe të trishta: të sëmurë, të burgosur, të varfër dhe nevojtarë.
Mesazh paqeje në një botë të copëtuar nga lufta dhe të pushtuar nga fantazma e një konflikti të mundshëm në shkallë të gjerë. Një mesazh shprese që na ndihmon ta lexojmë të tashmen me sytë e fesë dhe që na largon çdo frikë për të ardhmen.
Po përjetojmë, sot si asnjëherë më parë, se sa e vërtetë është që, pasi e kemi hequr Zotin nga bota jonë, nga mendimet tona dhe nga zgjedhjet që duhen bërë çdo ditë në sferën personale, politike dhe shoqërore, gjithçka priremi që ta shohim zi. Sa të këqija na tregojnë lajmet çdo ditë! Për ta është burim fitimi (sepse e keqja përbën lajm dhe shitet shumë), por për ata që ushqehen me këtë të keqe është helm vdekjeje. Megjithatë e keqja është aty, ajo është e vërtetë; kështu ka qenë gjithmonë dhe nuk kemi pse të habitemi.
Feja na ndihmon që të kemi përpara syve tanë përvojën e Pashkës së Krishtit; një përvojë e cila, si e jona, përbëhet nga e Premtja e Madhe dhe nga e Diela e Ngjalljes. Feja nuk na bën që t’i mbyllim sytë përpara të keqes, por na bën që ta kuptojmë më mirë atë dhe të orientohemi kah e mira…”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Angelo Massafras.
Nga Vatikani, Kardinali 96-vjeçar Shqiptar, Eminenca e tij e Naltë Ernest Troshan Simoni uroi besimtarët katolikë për pashkë.
Në mesazhin e tij ai uron të gjithë besimtarët katolikë të kenë në mendje Krishtin duke shtuar mesazhin për paqe dhe begati.
“Jetojmë në një kohë kur njerëzimi është mbushur me të papritura. Sot është festa për Krishtin. Kjo është festë e madhe. Urojmë që në çdo festë të kenë në mendje Krishtin. Të bashkoheni! Paqe dhe begati”, tha Kardinal Simoni.
Papa Françesku në mesazhin e tij foli gjithashtu për paqen në botë. Françesku u bëri thirrje besimtarëve të gëzohen pavarësisht krizave politike apo shqetësimeve personale dhe globale. Konkretisht, ai përmendi pamëshirshmërinë e urrejtjes dhe mizorinë e luftës, të cilat thyejnë mallin për paqen botërore, por edhe egoizmin dhe indiferencën.
Rreth 6,000 njerëz morën pjesë në festën për të përkujtuar ringjalljen e Jezu Krishtit në Bazilikën e Shën Pjetrit. Sipas Françeskut, Pashka duhet t’i inkurajojë njerëzit dhe t’u japë atyre shpresë: “Kjo është fuqia e Zotit: fitorja e jetës mbi vdekjen, triumfi i dritës mbi errësirën, rilindja e shpresës në mes të rrënojave të dështimit”.
/ZËRI