Aktualitet

Kreu i KLSH-së denoncoi skandalin me akulloret që shkaktojnë kancer/ Shalsi i kërkon llogari: Pse krijoni panik

Çudit Eduard Shalsi, i kërkon llogari kreut të KLSH-së pse ngriti shqetësimin për akulloret që shkaktojnë kancer, dhe për rritjen e rasteve me sëmundje tumorale në Shqipëri

E.K
Kreu i KLSH-së denoncoi skandalin me akulloret që shkaktojnë
Arben shehu

TIRANË- Vazhdon për të dytën ditë me radhë raportimi i kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Komisionin e Ekonomisë dhe Veprimtarisë prodhuese. Gjatë ditës së djeshme, kreu i KLSH Arben Shehu, bëri një denoncim të fortë kur tha se në vitin 2021 në vendin tonë janë tregtuar akullore të kontaminuara me Oksid Etileni që shkaktojnë kancer, leucemi dhe ndikojnë në aftësinë riprodhuese tek meshkujt.

Shehu tha se auditimi i vitit 2021 konstatoi se AKU nuk kishte marrë masa për të bllokuar produktin që ishte i kontaminuar. Por gjatë ditës së sotme, në mënyrë absurde, Shehu është përballur me presionin e vazhdueshëm nga kreu i Komisionit Eduard Shalsi, pse sipas tij u zgjodh që të bëhej publik ky informacion i 3 viteve më parë. Shehu tha se rasti u soll në vëmendje, për të bërë një analizë edhe mbi rritjen e rasteve të sëmundjeve tumorale në Shqipëri.

Kreu i KLSH pyeti deputetët që nëse ishin të gatshëm ai mund të raportonte për raste aktuale, që lidhen me çështje shqetësuese mbi shëndetin e qytetarëve, por një gjë e tillë u pengua nga socialisti Shalsi.

DEBATET NË MBLEDHJE

Arben Shehu: Nuk ka të bëjë me një situatë aktuale, nuk është një rast, por një situatë që ne e kemi vlerësuar dhe i kemi dhënë vlersësimin e duhur në tërësi, dhe e kemi trajtuar dje, që nuk nevojitet ndëshkimi i një individi, apo një grupi individësh, ne kemi qëllim përmirësimin e situatave. Duke komunikuar përmes rekomandimit, në rastin konkret ne e kemi lidhur për të raportuar mbi logjikën që duhet të kemi në komunikimin mes institucioneve. Për aq sa është e mundur jemi të prirur që të mirëkuptojmë pa shkelur ligjin.

Eduard Shalsi: Pse na e sollët si rast dje, dhe nuk erdhi në vëmendjen tonë, në vitin 2022 apo 2023. Pse nuk na e sollët këtë shqetësim, nëse është e vërtetë që autoriteti shqiptar nuk ka reaguar, çfarë ka çaluar në Shqipëri. Ne duhet ta ballafaqojmë këtë gjë, se dje shqiptarët dëgjuan se çfarë pasojash mund të ketë sjellë. Çfarë ju shtyu të na e thoshit dje, dhe të mos na e kishit sjellë më herët këtë situatë. Për çfarë e bëtë këtë alarm a mund të na e thoni?

Shehu: Kjo është fyese jo vetëm për mua, por për institucionin.  Unë mendoj se e dhashë përgjigjen e kësaj pyetje, por po e përsëris edhe njëherë, ndihemi keq që vihemi para një përgjegjësie të tillë, kur kemi shprehur shqetësimin për një situatë që na prek të gjithëve. Kemi qëllim përmirësimin, në rastin konkret ne e kemi trajtuar rastin e Onkologjikut, sepse është një situatë serioze. Më lejoni që të vazhdoj logjikën.

Shalsi: Pse në 2024 na sillni rastin e 2021?

Shehu: Është trajtuar për shkak të nevojës së një analize që ka për situatën tumorale në vend, është rrjedhë logjike, për të gjetur shkaqet që kanë çuar në rritjen e rasteve të sëmundjeve. Ne e kemi pasqyruar këtrë shqetësim në institucionet përkatëse. Nëse ju mendoni që çdo shqetësim ta reflektojmë këtu, ne jemi të gatshëm. Momentalisht nëse më lejoni, po ju transmetoj një situatë aktuale. Nëse ju doni të transmetojmë raste konkrete, ne jemi të gatshëm.

Shalsi: Dje doni apo nuk doni ta pranoni është krijuar një panik, nuk është në qëllimin tonë, që të sulmojmë drejtuesit e institucioneve. Nuk është qëllimi ynë që t’iu lëndojmë po duhet të jemi të vetëdijshëm që ajo që ju deklaruat ka nxitur shqetësime.

Gjatë raportimit në mbledhjen e djeshme, Shehu zbuloi se janë konsumuar 13.2 ton akullore me oksid etileni, teksa produktet janë shitur kryesisht në: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Berat, Lushnje, Korçë, Shkodër, Sarandë, Krujë, Burrel, Peshkopi, Tropojë, Lezhë. 

Në raportin e tij, Shehu ka bërë edhe një propozim, për të cilin ka kërkuar ndihmën e deputetëve të Kuvendit. Ai kërkon që të bëhet një analizë ndërinstitucionale për të zbuluar shkaqet e rritjes së sëmundjeve tumorale në vendin tonë. Kjo pasi Shehu tha se KLSH vlerëson se situata në Onkologjik është pika fundore e përgjegjësisë. Për të provuar atë që tha mori një rast që daton nga viti 2021, ku zbuloi se në vendin tonë në vitin 2021 janë tregtuar akullore të kontaminuara me "Oksid Etileni" që shkaktojnë kancer, leucemi dhe sëmundje të tjera./ZËRI

Poll

MOS HUMB