
TIRANË- Një deklaratë e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu ka shkaktuar debat të fortë në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë në Kuvend. Teksa prezantonte raportin e vitit 2023, kreu i KLSH-së, Arben Shehu ka folur për skandalin te Onkologjiku, ku mjekët dërgonin pacientët me tumor në klinikën private të mjekut Edmond Gashi.
Shehu zbuloi se janë konsumuar 13.2 ton akullore me oksid etileni, teksa produktet janë shitur kryesisht në: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Berat, Lushnje, Korçë, Shkodër, Sarandë, Krujë, Burrel, Peshkopi, Tropojë, Lezhë.
Por në raportin e tij, Shehu ka bërë edhe një propozim, për të cilin ka kërkuar ndihmën e deputetëve të Kuvendit. Ai kërkon që të bëhet një analizë ndërinstitucionale për të zbuluar shkaqet e rritjes së sëmundjeve tumorale në vendin tonë. Kjo pasi Shehu tha se KLSH vlerëson se situata në Onkologjik është pika fundore e përgjegjësisë. Për të provuar atë që tha mori një rast që daton nga viti 2021, ku zbuloi se në vendin tonë në vitin 2021 janë tregtuar akullore të kontaminuara me "Oksid Etileni" që shkaktojnë kancer, leucemi dhe sëmundje të tjera.
Por deklarata e tij ngjalli reagime në sallë! Deputetet e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi dhe Blerina Gjylameti kërkuan një ballafaqim me institucionin e AKU (Autoriteti i Kontrollit të Ushqimeve). Madje Gjylameti i kërkoi Shehut që të kishte kujdes me deklaratat e tij pasi mund të shkakonte panik tek qytetarët. Në këtë moment, Shehu e replikoi duke sjellë edhe një debat me tone "personale" mes tyre, ku deputetja i tregoi edhe historinë e saj se kishte humbur një familjar prej kancerit.
DISKUTIMET NË KOMISIONIN E LIGJEVE:
Kreu i KLSH: Në vazhdimësi do donim të kishim një mundësi për të bashkëpunuar. Nuk kërkohet vetëm mbështetje për punën por për arritjen e objektivave, dhe për zgjidhjen e problematikave që ne i kemi hasur në punën tonë. Kemi problematika në fushën e Shëndetësisë, siç është ai i Onkologjikut, sepse kemi të bëjmë me një nivel të lartë të riskut që kërkohet përgjegjësi e stafit të KLSH por edhe e institucionit që e monitoron punën e spitalit. Në vlerësimin tonë, kërkohet vëmendje shumë e madhe për zbatimin e rekomandimeve që ne kemi dhënë edhe për fushën e shëndetësisë, do kërkojmë një analizë për të parë dhe për të trajtuar përgjegjësit e pikës fundore. Ne vlerësojmë se situata në onkologjik është pika fundore e përgjegjësisë. Duhet të ketë një analizë të plotë për faktorët, të cilët kanë ndikuar në rritjen e të sëmurëve me sëmundje tumorale. Mendoj se është shumë pak, madje po flas shkurtimisht, me riskun...unë prezantova termin analizë dhe mendoj se e argumentoj pse duhet të jetë një analizë. Është e padiskutueshme që situata...e theksoj termin se në punën tonë kam konstatuar problematika të ndryshme në fushën e shëndetësisë. Po paraqes një rast auditi në AKU. Në datën 27.07.2021 në sistemin ERASK është informuar "ALERT" mbi prezencën e substancës "oksid etileni" në akulloret e prodhuara në Francë, prezenca është zbuluar nga Spanja, e cila më pas ka njoftuar. Më 29 korrik janë informuar 47 vende të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë. Krahas kësaj në email janë njoftuar disa persona me formatin bashkëlidhur. Çfarë kemi parasysh? Siç parashtrova, institucioni AKU kishte për detyrë bllokimin e menjëherëshëm të këtyre produkteve. Është rasti i vitit 2021. Është provuar se ky kimikat shkakton kancer limfone, leucemi, kancer në stomak dhe kancer të gjirit. Ndikon edhe në aftësitë riprodhuese tek meshkujt. Do të kërkonim mbështetjen tuaj për të ndërtuar një analizë për çështjen në drejtësi. Unë kërkoj mbështetjen tuaj që siutuata të gjejë vëmendjen e duhur.
Shalsi: Ju e nisët rastin por çfarë ndodhi me produktet?
Kreu i KLSH: Edhe Shqipëria ka marrë njoftimin në kohën e duhur dhe nuk ka bërë veprimet e duhuara. Gjithsecili aspiron që të jetë njeri. Insituticioni mori informacion dhe nuk ka marrë asnjë masë. Nuk ka marrë masat e duhura. Nuk janë marrë masat!
Shalsi: Nuk ka reaguar autoriteti? Çfarë nuk ka bërë?
Kreu i KLSH: Nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
Ekonomi: Ky rast është i mjaftueshëm për një ballafaqim, duhet të bëjmë një ballafaqim. Mendoj që për të gjithë ne është e pamjaftushme për të gjykuar. Informacionet nga portalet globale vijnë në Shqipëri. Shqipëria është konsumatore dhe fakti që ky informacion na serviret ne për rritjen e kancerit nuk është e mjaftueshme. Statistikat botërorë tregojnë se rastet e kancerit nuk janë rritur jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Atëherë nuk e dimë këtë fakt që po na thotë zotëria. Janë informacione të rëndësishme këto që na serviren, por na duhen informacione të mëtejshme.
Gjylameti: Dëgjova që nuk janë marrë masa nga AKU, mendoj se duhet ballafaqim. Kërkova në media, këtu shoh që në të gjithë mediat në 2021 thuhet se akullohet janë tërhequr nga tregu. Ky është një pohim shumë i rëndë. Na duhet të dimë a janë ende akulloret në treg?
Kreu i KLSH: Zonja Gjylameti duhet të jemi të kujdesshëm. Ne i jemi referuar konstatimeve në subjekt. Janë kryer të gjitha veprimet. Siç parashtrova veprimet me orë dhe minuta. Kjo është e provuar nuk është hamendësim, kërkova që të marrim masa për këto problematika. Sa i kujdesshëm është KLSH i qëndrojmë me çdo lloj detyrimi konstatimeve tona. Për situatën duhet që të kemi një alert të madh, është në ekstrem. Për shkak se është sensistive po e them këtu, është jetike për më tepër. Nuk do të ndalojmë së kryeri të gjitha veprimet e nevojshme jo vetëm për këtë, por edhe për Onkologjikun. Kemi situata në institucione të tjera që kanë mungesë në nivelet e shërbimeve që...Ne jemi shumë të kujdesshëm për këto situata. Nuk presim nga ju që të na tërhiqni vëmendjen që të jemi të kujdesshëm, por të na mbështesni në punën tonë. është punë në shërbimin dhe tuaj zonja Gjylameti. Kanceri nuk llogarit asnjë lloj imuniteti.
Shalsi: Pyetje, është vitit i 2 që raportoni në Kuvend? Po i referoheni një rasti të 2021, pse e zgjodhët tani ta sillni një rast të tillë? Rasti është alarmant, pse e sollët tani?
Kreu i KLSH: Unë ju referova auditimeve në fushën e shëndetësisë, në spitalin Onkologjik, thashë që duhet një analizë për të ndaluar rritjen e të sëmurëve me sëmundjet tumorale. Mora rastin kur është konstatuar që produktet ushqimore kanë pasur produkte me sëmundje kancerogjene...Ju referova për vitin 2023. Situata në Onkologjik është pika fundore.
Gjylameti: I nderuar kryetar, kanceri në familjen time ka trokitur. Ju mesa duket nuk e dini. Ka trokitur dhe e ka marrë jetën. Meqë më treguat imunitetin. Përballjen me situatën në Onkologjik e kam patur unë. Nuk e përdor politikisht, por nuk jap mbrojtje politike për ata që kanë bërë këtë gjë. Të thuash që nuk janë tërhequr, do të thotë që shkakton panik tek njerëzit. Unë nuk cënoj njeri personalisht, apo t'ju përmend me emër. As mos e prisni. Imunitetin nuk e ka askush prej nesh, aq më tepër kur kanë lidhje me sëmundje që kanë të bëjnë me Zotin.
Por çfarë ka ndodhur me akulloret?
Në gusht të vitit 2021 u dha alarmi për një sasi prej 36 ton akullore kancerogjene, të cilat deri vonë tregtoheshin edhe në Shqipëri. Në këto produkte u konstatua prania e oksid etilenit më e lartë se norma e lejuar. Pas alarmit të dhënë nga institucionet e huaja, AKU bëri me dije 11.7 ton akullore ishin shitur dhe konsumuar, ndërsa rreth 20 ton të tjera ndodheshin ende në magazinat e subjekteve importuese dhe janë asgjësuar nga AKU.
Por në 10 nëntor të të njëjtit vit, nga një auditim, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mosveprime të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe ka depozituart në SPAK një kallëzim për “shpërdorim detyre”. Megjithatë, edhe pse dosja është ende në SPAK, çështja ende nuk është finalizuar nga hetuesit të Prokurorisë së Posaçme.
*Oksid etileni është ndër shtatë përbërësit kryesorë të fshehur në produktet kozmetike që gjendet zakonisht gjendet në aromë dhe shampo. Kjo përbërje dihet të ketë efekte të dëmshme në shëndetin e njeriut. Administrata e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë (OSHA) shpjegon se ekspozimi kronik shoqërohet me formimin e kancerit, efektet riprodhuese, ndryshimet mutagjene, neurotoksicitetin dhe sensibilizimin. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin gjithashtu klasifikon oksidin etilenit si një kancerogjen./ZËRI