
TIRANË- Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Elbasanit për Florenc Çapjan. Trupa e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni shqyrtuan rekursin e Prokurorisë së Elbasanit, që kundërshtonte pushimin e çështjes për vrasjen e ish-efektivit të Policisë Rrugore, Fadil Mema. Lidhur me ngjarjen, më datë 20 nëntor të vitit 2019, gjyqtari Tomor Kullolli vendosi pushimin e çështjes për Florenc Çapjan, duke e liruar këtë të fundit nga qelia.
Lirimi i tij u bë me pretendimin se Gjykata nuk ka prova të mjaftueshme për ta implikuar Çapjan. Të njëjtin vendim mori edhe Apeli i Durrësit. Mungesën e provave e konstatoi edhe gjyqtarja Anita Mici, thuajse një vit më vonë, në 14 prill të vitit 2020, edhe pse Prokuroria kërkoi dënimin me burg për atentatin e mbetur në tentativë. Të dy këta gjyqtarë, janë të shkarkuar nga procesi i Vettingut.
Por, Prokuroria e Elbasanit ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila ka vendosur sot që ta rikthejë çështjen në Gjykatën e Elbasanit në seancë paraprake. Kështu Çapja do të përballet edhe njëherë me akuzat “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.
“Prishjen e vendimit nr. 3096 (13-2019-6955), datë 20.11.2019, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Elbasan dhe vendimit nr. 10-2020-480 (76), datë 14.04.2020, i Gjykatës së Apelit, Durrës dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Elbasan – gjyqtari i seancës paraprake, pranë kësaj gjykate.”
Historia e PËRPLASJES
Etja për të eliminuar fizikisht Fadil Memën, ka ardhur pasi në Elbasan u vra Sokol Çapja në dhjetor të 2005. Aty nisi edhe saga e vrasjeve të njëpasnjëshme. Sokoli dhe Dritan Sheme, një killer me pagesë dhe mik nga ana e gruas me Fadilin, urdhërohet nga Çapja të vrasi Rezart Çelën në Elbasan. Kontrata e vdekjes ishte dakordësuar mes Shemes dhe Sokol Çapjas për 30 mijë euro. Plani u krye, Sheme, si një killer profesionit, ekzekuton në tetor 2005 Rezart Çelën, dhe pas disa ditësh paraqitet tek Sokol Çapja, për të kërkuar diferencën prej 15 mijë euro. Këtu pati një përplasje. Mes killerit me pagesë Sheme dhe Sokol Çapja, hapet një konflikt i ri, ku pati disa tentative vrasje nga të dyja palët pas sherrit për lekët.
Në këtë konflikt hyri spontanisht Fadil Mema, ish-efektiv i policisë rrugore Elbasan, i cili pasi ditë kishte shkuar tek lokali i Çapjave “Univers”, për të festuar 50-vjetorin e ditëlindjes. Këtu Mema u përplas me Çapajn, pasi ky i fundit i kërkoi që Dritan Sheme që ishte përfshirë në listën e të ftuarve të tij, nuk duhet të ishte në atë lokal. Pas kësaj ngjarje, tre persona vranë Sokol Çapjan më 2005 në një lokal të qytetit. Në atë periudhë policia shpalli në kërkim Dritan Shemen, ndërkohë arrestoi dy bashkëpuntorët e tij Gentian Beqirin dhe Armando Hasanin. Por fisi Çapja kërkonte shpagim tek Fadil Mema. Ky i fundit, edhe pse u largua nga Shqipëria për në Itali, nuk mundi të shpëtonte dhe u ekzekutua.
Fadil Mema 54 vjeç, u vra me gjashtë plumba më 14 Mars të vitit 2015 në Torino. Për këtë vrasje qëndroi pas hekurave Florenc Çapja, derisa Gjykata i pushoi akuzat ndaj tij. Aktualisht, ky i fundit, si shumë personazhe të tjerë të botës së krimit ndodhet në Dubai./ZËRI