VLORË- Një episod i pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e 1 gushtit në Vlorë, gjatë një kontrolli policor në një lokal në zonën e “Ujit të Ftohtë”. Efektivët e Policisë kishin shkuar në subjekt pas një njoftimi për muzikë të lartë, por gjatë kontrollit janë përballur me një situatë të papritur.
Bëhet fjalë për një kontroll, pas marrjes së njoftimit se dy subjekte gjeneronin muzikë me volum të lartë duke shqetësuar banorët e zonës, janë paraqitur për kryerjen e verifikimeve përkatëse. Gjatë kontrollit në subjektin “Amos”, në vendin e quajtur “Plazh i Ri”, punonjësit e policisë janë kontaktuar nga një person, i cili u është prezantuar si menaxheri i lokalit.
Sipas "Ora News", personi që u prezantua si menaxher i lokalit u ka zgjatur telefonin, ku ishte duke zhvilluar një videotelefonatë në WhatsApp me Inez Hajrullën, person i kërkuar nga SPAK. Sipas burimeve, Hajrulla u është drejtuar efektivëve përmes telefonit dhe u ka kërkuar të largoheshin e të mos vijonin kontrollet në lokal.
Pak çaste më vonë, situata ka marrë një tjetër kthesë. Kur personi ka futur telefonin në çantën e tij, efektivët kanë konstatuar një armë zjarri. Gjatë kontrollit të çantës u gjetën edhe lëndë të dyshuara narkotike, para në valuta të ndryshme dhe sende të tjera.
Punonjësit e policisë kanë bërë neutralizimin e personit dhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë. Nga verifikimet e mëtejshme është identifikuar si shtetasi E.O banues ne qytetin e Vlorës. Burimet për “Ora News” bëjnë me dije se Policia ka kyer kontroll në automjetin e markës Volkswagen Golf, në pronësi të këtij shtetasi, ku është gjetur dhe sekuestruar një sasi materiali bimor, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit Cannabis sattiva, e mbështjellë me letër alumini.
Inez Hajrulla vijon te jetë në kërkim në bazë të një operacioni te ndërmarër nga Spak në godtijen e aktivitetit kriminal te drogës por edhe krimeve kundër jetës.
Hajrulla, një prej emrave më të përfolur prej vitesh në kronikën e zezë të Vlorës. Ai ka qenë objektiv i dy atentateve në qytetin e Vlorës. Njëri ndodhi në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët, ndërsa tjetri ndodhi me 10 maj të vitit 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal. Hajrulla është person i marrë në hetim për zhdukjen e Elvis Troqes në Vlorë, në korrik 2017. Përfshirja e tij në këtë çështje erdhi pasi një nga dëshmitarët, që është personi i fundit që ka takuar 25-vjeçarin Troqe, ka deklaruar për hetuesit se Elvisi ishte larguar nga lokali ku po qëndronin, duke i thënë se do të takonte një shok me emrin Ini, që dyshohet se i referohet pikërisht Inez Hajrullës, pasi në Vlorë njihet si “Ini i Çones”. Ai njihet për përplasjen e fortë me grupin Simomati./ZËRI