
TIRANË – Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë një kontroll të imtësishëm në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. KLSH ka gjetur në këtë ministri parregullësi të shumta dhe devijanca ligjore. Në krye të raportit, KLSH shprehet se Ministria e Financave nuk ka marrë parasysh kritikat që kontrolli i ka bërë dhe për rrjedhojë nuk janë bërë ndryshimet që janë kërkuar.
KLSH shprehet se janë paguar detyrime të prapambetura për investime në vlerën 6,169 milion lekë, ose rreth 6.8% të investimeve kapitale me financim të brendshëm, duke deformuar vëllimin e investimeve të realizuar për vitin fiskal 2022.
Konstatohet kryerje e rikonstruksionit dhe shpenzime nga buxheti i shtetit për objekte që nuk janë në pronësi të shtetit në vlerën 31,961 mijë lekë. Gjithashtu, fondi rezervë rezulton të jetë përdorur në 5 raste, në shumën 1,491 milion lekë edhe për shpenzime të tjera, jo të paparashikuara. Fondi Rezervë i miratuar ka tejkaluar kufirin e miratuar, përkatësisht përllogaritet në 3.06 % dhe 3.84% të totalit të shpenzimeve të miratuara.
Janë 26 projekte investimi, me kredi dhe grant, në vlerën 2,200 milion lekë të realizuara, pa pasur plan buxhetor dhe 53 projekte në vlerën 1,506 milion lekë janë realizuar në tejkalim të planit të buxhetit të miratuar. Konstatohen 27,311 fatura në total me vlerë 52,579 milion lekë të dorëzuara në Thesar jashtë afatit 30 ditor. Përgjatë vitit 2022 gjendja e likuiditeteve ka rezultuar e lartë, ndërmjet intervalit 60-100 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e tepricave është akumuluar gjatë vitit në TSA në Euro, duke mosadministruar si duhet mjetet monetare së bashku me konvertimin e panevojshëm të valutave të cilat kanë sjellë shpenzime të panevojshme.
PPP-të, rrezik fiskal
Nisur nga problematikat e konstatuara, rezulton se procesi i raportimit të detyrimeve të prapambetura nuk ka pasur monitorim të plotë dhe mosekzekutimi në kohë i detyrimeve të prapambetura nga koncesionarët paraqet një risk të shtuar për të ardhmen, duke qenë se krijon kushte potenciale për pretendime mbi interesa dhe penalitete mbi vonesën në ekzekutim, sipas të drejtave dhe detyrimeve të palëve, të përcaktuara në kontratë.
Garancitë shtetërore përgjatë vitit 2022 paraqesin një risk të shtuar në drejtim të administrimit të tyre dhe situatës së rënduar financiare, të cilën kalon kryesisht sektori energjitik. Detyrimet si pasojë e pagesave të kryera nga Buxheti i Shtetit për vitin 2022 janë akumuluar në masën më të madhe nga kompanitë private me kapital shtetëror përfituese në sektorin energjetik në shumën 1,941 milion lekë.
Po ashtu, konstatohen parregullsi të lejuara për procesim nga sistemi i thesari, konkretisht: 102 raste të urdhër prokurimeve të regjistruara në sistem në vitin buxhetor 2022 të cilat lidhen me një kontratë të nënshkruar në vitet e mëparshme buxhetore, 52 raste në të cilat urdhër prokurimet rezultojnë të jenë regjistruar 0-10 ditë diferencë nga data e kontratës./ZËRI/