
KOSOVË- Gjykata e Apelit në Prishtinë ka lënë në burg Naim Murselin dhe dy bashkëpunëtorët e tij, të cilët akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt. E reja dyshohet se është ekzekutuar me urdhët të bashkëshortit të saj Naim Murseli. Ky i fundit kishte pajtuar Granit Plavën për të tërhequr këmbëzën e pistoletës që do i merrte jetën Liridonës në sy të fëmijëve të mitur. Apeli vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën.
“Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, PPRKR.nr.309/2023 të datës 12.12.2023, të pandehurve N.M, G.P dhe K.K, i ’u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri N.M, ka kryer veprën penale në bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.3 dhe 1.4, lidhur me nenin 31 të KPRK, i pandehurit G.P, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 të KPRK dhe veprës penale secili veç e veç mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK, si dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale marrëveshja për të kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.6 lidhur me nenin 35 të KPRK”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister. Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit./ZËRI