
TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e bërë nga Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, të cilët kanë kërkuar lirinë.
Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni, Ilir Rrapaj, të cilët ndodhen në burg për koncesionin e Sterilizimit, kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Ata kundërshtojnë vendimet që nuk kanë pranuar zëvendësimin e masës “arrest në burg” në një masë më të butë sigurie.
Të pandehur për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 mln euro janë Ilir Rrapaj, Klodian Rjepaj, Genc Burazeri, Marsela Serjanaj, Arben Gjata, Naile Ajazi dhe Petro Mersini, si dhe Saimir Kadiu.
SPAK e nisi hetimin për këtë koncesion në vitin 2019, pas një kallëzimi të depozituar nga ana e nismës “Thurje”. Në 2020-ën çështja u regjistrua për 3 akuza që janë “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë në tendera” dhe “korrupsion pasiv”.
Hetimet kishin në fokus marrëveshjen mes ministrisë me kompaninë që fitoi koncesionin me vlerë 100 mln Euro. Raportet e bëra ndër vite nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur alarmin se ky koncesion po i shkaktonte një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit pasi kostot kishin nisur të rriteshin me 20-30% më shumë nga ç’ishin parashikuar në kontratë./ZËRI