Aktualitet

Projekti në Sazan i Kushner, AIDA: Interesi u shpreh në Dhjetor. Për Zvërnecin s'ka gjë

Sqarohet se aplikimit të projektit të Zvërnecit, pranë AIDA-s nuk është paraqitur asnjë shprehje interesi.

k.m.
Projekti në Sazan i Kushner, AIDA: Interesi u shpreh në Dhjetor.
Jared Kushner

TIRANË- Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka zbuluar më shumë detaje lidhur me projektin e kompanisë “Atlantic Incubator Partners LLC” për ndërtimin e resortit turistik në ishullin e Sazanit. Sipas AIDA-s, në një prononcim për "Agjencinë Telegrafike Shqiptare", kërkesa paraprake është dorëzuar më 27 dhjetor 2023. Aktualisht, projekti është në fazën e asistimit nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, lidhur me plotësimin e kritereve.

Por sqarohet se aplikimit të projektit të Zvërnecit, pranë AIDA-s nuk është paraqitur asnjë shprehje interesi.

“Pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) është paraqitur vetëm një shprehje interesi nga kompania “Atlantic Incubator Partners LLC” për realizimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit. Në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, çdo subjekt investues i interesuar, person juridik privat, vendas ose i huaj, ka të drejtën për të kërkuar përfshirjen e një projekti investues në procedurat administrative të investimeve strategjike, me qëllim marrjen e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë. Subjektet e interesuara, të cilat kërkojnë përfshirjen e projekteve të tyre investuese në procedurat administrative të investimeve strategjike, paraqesin, për këtë qëllim, një kërkesë me shkrim pranë AIDA-s, së bashku me dokumentacionin përkatës. AIDA, në rolin e agjentit asistues, në zbatim të detyrave të përcaktuara në këtë ligj, ndjek të gjitha procedurat administrative të parashikuara që nga momenti i paraqitjes së kërkesës për përfshirjen në procedurat administrative për përfitimin e statusit “Investim/investitor strategjik” deri në përfundimin e të gjitha procedurave administrative, të parashikuara nga ky ligj. Aktualisht, projekti në fjalë është në proces asistimi pranë institucionit tonë dhe jemi duke vlerësuar të gjitha kriteret ligjore që parashikon legjislacioni për investimet strategjike, përkatësisht VKM Nr. 1026, datë 16.12.2015 “Për vlerësimin e dokumentacionit". Për sa i takon procesit të shqyrtimit të projektit, bëjmë me dije se meqenëse projekti është ende në fazë asistimi, subjekti do të duhet si fillim të dorëzojë të gjithë dokumentacionin e plotë, në referencë të VKM Nr. 1026, datë 16.12.2015. Subjekti duhet të dorëzojë njëherë të gjithë informacionin sipas legjislacionit të investimeve strategjike. Grupi i punës ngrihet në një fazë të dytë, pas dorëzimit të dokumentacionit të plotë,”- sqaroi AIDA për ATSH.

Jared Kushner, dhëndrri i ish-presidentit amerikan Donald Trump do të investojë 1 milard dollarë për Ishullin e Sazanit në vila dhe resorte lusoze. Kushner ka shprehur interesin përmes kompanisë së tij ‘Affinity Partners’. Firma e kapitalit privat me bazë në Majami planifikon të transformojë ishullin e Sazanit të Shqipërisë në Mesdhe, që më parë ishte shtëpia e një baze ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës Aman. Përveç investimit në Shqipëri, Jared Kushner ka gati dhe një tjetër investim. Një projekt i tretë do të transformonte tre blloqe të braktisura në zemër të kryeqytetit serb Beograd në një hotel luksoz me hapësirë komerciale dhe më shumë se 1,500 rezidenca./ZËRI

Poll

MOS HUMB