TIRANË- Ardian Çapja nuk do të marrë pjesë në ceremoninë mortore të nënës së tij. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka refuzuar kërkesën e të dënuarit me burgim të përjetshëm për të dalë nga qelia dhe për të marrë pjesë në varrim.
Vendimi është marrë pas vlerësimit të shkallës së rrezikshmërisë që paraqet Çapja, rrezikut për vendin ku do të zhvillohej ceremonia, si dhe informacioneve që strukturat e sigurisë disponojnë në rrugë operative.
Ekipi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka bashkëpunuar me Policinë e Shtetit për vlerësimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme të sigurisë. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimit, mësohet se Policia e Shtetit kishte marrë masa të shtuara në Elbasan, duke dërguar edhe një grup të forcave speciale RENEA, i cili ishte në gatishmëri për çdo situatë të mundshme.
Ndërkohë, edhe në varrezat e qytetit është vënë re një prani e shtuar e forcave të policisë, pavarësisht se Çapja nuk do të jetë i pranishëm. Ceremonia e varrimit ka nisur në orën 14:00.
Ardian Capja është dënuar me burg të përjetshëm me vendim të formës së prerë për vrasjen e Nezir dhe Gentjan Beqirit, babë e bir, ngjarje e ndodhur më 15 gusht 2012 në qytetin e Elbasanit./ZËRI