
TIRANË- Të gjitha biletat e nxjerra online në shitje për ndeshjen Shqipëri-Republikë Çeke që do të luhet në stadiumin “Air Albania” janë blerë nga tifozët brenda pak orësh.
Interesimi ka qene mjaft i madh nga fansat kuqezinj, ndërsa procesi i shitjes totale të biletave shkoi në 4 orë. Përveç tifozëve brenda Shqipërisë, edhe ata në Europë tentuan që të blinin një biletë, duke shkaktuar një trafik të madh. Mendohet se mbi 250 mijë llogari u kyçën në faqe për të blerë biletat.
FSHF informoi se nuk ka më bileta në treg, ndërkohë që nisur nga interesimi pritet që të jenë me mijëra ato që do të shiten në tregun e zi.
Kjo do të bëjë që çmimi i tyre të jetë mjaft i lartë, duke qenë se janë me qindra mijëra shqiptarë që duan të jenë në “Air Albania” për ndeshjen vendimtare që të çon në Gjermani 2024.