
DURRËS –Policia e Durrësit, përpos pistës së bullizmit nga Tik Toku, ka dhe një variant tjetër. Variantet e reja, kanë ardhur pas marrjes në pyetje të shumë personave në komisariat.
Policia ka marrë dëshminë e vajzës të së ndjerës. Por, dëshmitë, që besohet se kanë bërë që policia të hetojë dhe pistë tjetër, kanë qenë ato të vellezërve të viktimës Bedrie Loka. Vëllezërit e saj kanë ngritur dyshime se ngjarja e rëndë mund të ketë ardhur edhe për shkak të konflikteve në familje.
Efektivët e Durrësit kanë në dorë edhe celularin e viktimës, raporton News24. Nga këqyrja e celularit deri më tani nuk ka rezultuar ndonjë provë implikuese, që të përfshijë personat me të cilët ka biseduar, përpara se të ndërmerrte veprimin fatal.
Telefoni pritet që t’i nënshtrohet një ekspertize më të thelluar. Policia pritet të marrë akoma më tepër dëshmi, me qëllim që të zbardhë ngjarjen e rëndë, që tronditi opinionin publik këtë pasdite.
41-vjeçarja Bedrie Loka nga Sukthi piu fostoksinë dhe i dha fund jetës, pasi ishte bullizuar në TikTok. Vajza e tezes së saj i kishte marrë një foto dhe në të kishte shkruar fjalë denigruese. Postimi denigrues ishte parë nga më shumë se 30 mijë njerëz./ZËRI/