
DURRËS- Një tjetër version makabër ka dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur në Durrës. Burime për ZËRI nga brenda fabrikës së fasonerisë, pretendojnë se 41-vjeçarja Bedrie Loka ka vrarë veten pasi dhunohej nga i shoqi. Të njëjtat burime bëjnë me dije se i shoqi ishte kthyer në Shqipëri para Vitit të Ri, pasi punonte në Itali.
E nga kthimi i tij nisi dhuna ndaj 41-vjeçares, e cila më 2 Janar vendosi që t'i merrte jetën vetes. Madje u pretendua gjithashtu se viktima është varrosur me shenja dhune, por askush nuk flet pasi ka frikë nga hakmarrja.
"Kjo punonte tek fabrikat dhe më vjen keq se nuk është ky motivi. Kjo gjëja ka ndodhur para disa vitesh dhe e kanë zgjidhur me Polici. Burri i jetonte jashtë dhe i është kthyer para Vitit të Ri. Çdo natë e dhunonte dhe trupin e ka pasur me të nxira kur e kanë varrosur nga dhuna e burrit. Kanë frikë të tregojnë se mos ai hakmerret. Ajo ka pirë helm nga dhuna e burrit. Nuk di Policia gjë, se i kanë thënë motivet e TikTok-ut. Të gjithë kanë frikë ta thonë të vërtetën,"-shkruhet në denoncimin e bërë pranë ZËRI.
SQARIM: Pasi ZËRI publikoi pretendimet e bashkëshortit, ka vendosur që të publikojë edhe një denoncim nga brenda fabrikës të së ndjerës, edhe pse kanë kërkuar që të flasin pa u identifikuar. Zbardhja e plotë e ngjarjes pritet që të bëhet nga ana e drejtësisë së Durrësit./ZËRI