
TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë në përfundimin se ish-zyrtari i Policisë së Shtetit ka ndihmuar Nuredin Dumanin që t’i fshihej drejtësisë.
Me mbylljen e hetimeve për dosjen “Metamorfoza 2”, SPAK çoi në gjykatë 11 të akuzuar, por gjithashtu ka zbuluar dhe rolin e Breçanit në arratisjen e Dumanit.
Sipas SPAK të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Erzen Breçani kanë përkrahur Nuredin Dumani i cili ishte në kërkim për kryerjen nga ana e tij të disa veprave penale shumë të rënda, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
“Të pandehurit Cenaj dhe Ajeti kanë strehuar dhe ndihmuar shtetasin Nuredin Dumani me qëllim që t’i shmanget drejtësisë në një moment kur për këtë person ishte caktuar një masë sigurimi nga gjykata. I pandehuri Erzen Breçani ka konsumuar veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, duke i dhënë informacione Bujar Ajetit si dhe Nuredin Dumanit në mënyrë që t’i shmangen arrestimit nga policia gjyqësore,”- thuhet në dosje.
ZËRI ka publikuar më herët të gjithë dosjen e rolet e anëtarëe të grupit kriminal, ku përmendej dhe kalimi i kufirit nga ana e Dumanit, i cili sot është i penduar i drejtësisë.
Më konkretisht, Bujar Gërmizi me anë të lidhjeve të tij, ka ndihmuar Dumanin në kohën që ishte në kërkim, të kalojë disa herë pikën kufitare të Morinës duke hyrë në territorin e Kosovës dhe anasjelltas pa probleme.
Bisedat në "SKY ECC" kanë zbuluar se Bujar Gërmizi, është njeriu që përmes ndërhyrjeve të tij në efektivët e policisë kufitare, mundësonte kalimin pa problem në pikën kufitare të Nuredin Dumanit.
Por, siç duket në këto kalime ka pasur gisht edhe Breçani.
Nuredin Dumani, i shumëkërkuari për disa vrasje ka mbërritur në muajin Mars 2022 në Shqipëri. Më pas, Dumani është larguar me makinë në drejtim të Prizrenit, dhe aty ka marrë një taksist i cili e ka çuar deri në Morinë. Ai ka pajtuar kundrejt 40 eurove një taksist tjetër, duke i pohuar se i kishte humbur karta e identitetit dhe a mund ta kalonte në doganë.
Siç tregon dhe vetë Dumani në prokurori taksisti ka rënë dakord dhe ka kaluar pikën kufitare, pa pasur asnjë kontroll. Ish-zyrtari i Policisë Erzen Breçani është liruar nga qelia, tetë muaj pas vendosjes së tij në pranga. Breçani është lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Gjatë kohës së qëndrimit në qeli, në disa raste Breçani kërkoi lirinë, me pretendimin se vuante nga klaustrofobia. Breçani u arrestua pas zbardhjes së bisedave në SKY ECC, ku fliste me djalin e tij Eralbi Breçanin, i cili është shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar kokaine, bashkë me Ervin Matën.