
LEZHË- Pas disa muajsh në kërkim, ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri është vetëdorëzuar. Ky i fundit ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Revanshi”. Gazetarja Klodiana Lala ka publikuar momentin, kur Mitri, bashkë me avokatin e tij Ardian Leka paraqitet pranë Drejtorisë së Tiranës.

Mitri u akuzua zyrtarisht nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se kishte lejuar kultivimin e kanabisit gjatë kohës që ishte në krye të Policisë së Lezhës, por edhe organizimin e lojrave të fatit.
Emri i Mitrit dhe i bashkëpunëtorit të tij, Klodian Shahini, i cili në vitin 2020 ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë doli nga operacioni i SPAK më 18 maj. Nga hetimet e kryera nga SPAK, rezultoi se Mitri, së bashku me Shahinin dhe persona të tjerë drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve në qarkun e Lezhës. Nga bisedat e zhvilluara me aplikacionin "SkyECC" u zbuluan edhe komunikimet e tij me biznesmenin Pëllumb Gjoka (gjithashtu i arrestuar nga SPAK) për organizimin e lojrave të fatit po në zonën e Lezhës.
Tashmë të dy janë përjashtuar nga radhët e uniformave blu. Para se të përjashtohet, Mitri kishte detyrën e shefit të sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike. Ndërsa Shahini kishte detyrën e shefit të Seksionit të Policimit në Komunitet dhe Shërbimit ndaj të Tretëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë, Dibër./ZËRI