
TIRANË- Katër punonjës policie, dy prej të cilëve në role drejtuese kanë rezultuar të përfshirë në grupet kriminle që u goditën nga operacioni i zhvilluar së fundmi nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Bëhet fjalë për periudhën e vitit 2020.
Henerigert Mitri, që në vitin 2020 mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Klodian Shahini që ishte Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës, në bashkëpunim me Preng Gjinin.
Ndërsa, në bashkëpunim me ish-deputetin Arben Ndoka drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës. Bashkëpunim me grupin kriminal kishin dhe 2 efektivë të Repartit Special RENEA, Altin Morina, dhe A.P., që kanë bashkëpunuar me Durim Bamin dhe në parcelat me drogë në Nikël e Tapizë dhe jo vetëm.

Pjesë nga njoftimi i SPAK:
Eshtë është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Henerigert Mitri, me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shtetasin Klodian Shahini dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës. Po ashtu i hetuari Henerigert Mitri në bashkëpunim me shtetasin Preng Gjinin, aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.
Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi Durim Bami, në bashkëpunim me shtetasin Altin Morina (me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit) kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës.
Nga hetimi është evidentuar gjithashtu edhe përfshirja e një ish Deputeti, katër punonjës policie, dy prej tyre në role drejtuese, gjatë vitit 2020, përkatësisht:
– Ish Deputeti me iniciale Arben Ndoka;
– Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me iniciale Henerigert Mitri
– Shefi i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në po këtë drejtori, me iniciale Klodian Shahini;
– 2 efektivë të Repartit Special RENEA, me iniciale Altin Morina dhe A.P.