ROSKOVEC- Dëshmia e 24-vjeçares Rozalinda Plaka pritet të jetë kyçe për zbardhjen e plotë të tragjedisë së ndodhur në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku ish-partneri i saj, Refit Buzi, vrau babanë e saj, plagosi rëndë nënën, e cila ndërroi jetë disa orë më vonë në spital, dhe më pas e mbajti të renë peng për disa orë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se rrëfimi i parë i së resë nuk ka hedhur dritë mbi motivet e krimit, ndaj ajo pritet të merret sërish në pyetje nga hetuesit.
Sipas burimeve, 24-vjeçarja ka përshkruar vetëm çastet e para të ngjarjes. Ajo ka deklaruar se ishte në gjumë kur u zgjua nga zhurmat në banesë dhe u përball me ish-partnerin e saj, i cili mbante në dorë një armë gjahu.
Në dëshminë e saj, ajo ka treguar se 35-vjeçari e detyroi nën kërcënimin e armës të hipte në makinë dhe ta ndiqte, ndërsa në ato momente nuk kishte kuptuar ende se çfarë kishte ndodhur me prindërit. Sipas rrëfimit, ajo pa vetëm të atin të shtrirë në kuzhinë, ndërsa nënën nuk arriti ta shihte.
“Më kërcënoi të shkoja në makinë me të dhe ta ndiqja nga pas”, mësohet të ketë rrëfyer 24-vjeçarja para hetuesve.
Hetuesit synojnë ta marrin sërish në pyetje edhe për të sqaruar rrethanat e ndarjes së saj nga Refit Buzi, si dhe pretendimet e këtij të fundit se i kishte dërguar nga Anglia 830 mijë paund për t'ia ruajtur, para që, sipas tij, nuk i ishin kthyer. Lidhur me pretendimet për shumën e parave, mësohet se 24-vjeçarja nuk ka dhënë asnjë shpjegim në dëshminë e parë.
Ngjarja ndodhi më 24 korrik në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku humbi jetën Kosta Plaka, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Pas krimit, Refit Buzi u mbyll në automjetin e tij dhe, pas disa orësh negociata me Policinë, kreu vetëvrasje./ZËRI