Aktualitet

Qëlloi me armë, 38-vjeçari "trazoi" mbrëmjen në Dibër, arrestohet nga policia, 9 të tjerë nën procedim

Pas hetimeve, në pranga është vënë 38-vjeçari, ndërsa një 19-vjeçar është proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me të gjatë ngjarjes.

zh.ll
Qëlloi me armë, 38-vjeçari "trazoi" mbrëmjen
policia-ilustrim

DIBËR- Një 38-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Dibrës, pasi dyshohet se ka qëlluar në ajër me armë zjarri për të kanosur disa persona, ndërsa në total 9 shtetas janë proceduar penalisht në lidhje me ngjarjen.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, incidenti ka ndodhur mbrëmjen e 24 korrikut në bulevardin "Elez Isufi" në Peshkopi. Pas hetimeve, në pranga është vënë 38-vjeçari, ndërsa një 19-vjeçar është proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me të gjatë ngjarjes.

Nga veprimet hetimore rezulton se dy të dyshuarit kanë qëlluar në ajër me armë zjarri me qëllim kanosjen e gjashtë shtetasve, banues në Peshkopi dhe Pollozhan.

Po ashtu, tetë persona të tjerë janë proceduar penalisht për veprën "Moskallëzimi i krimit", pasi, sipas Policisë, kanë qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e kanë kallëzuar atë pranë autoriteteve.

Njoftimi i Policisë:

Dibër/Qëlloi në ajër me armë zjarri për të kanosur disa shtetas, vihet në pranga 38-vjeçari.

Nis procedimi penal për 8 shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi, si dhe për një 44-vjeçar, për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Dibër, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 24.07.2026, në bulevardin "Elez Isufi", arrestuan në flagrancë shtetasin:

F. I., 38 vjeç, banues në fshatin Pollozhan, Dibër.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi K. I., 19 vjeç, banues në Pollozhan, Dibër.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi F. I., në bashkëpunim me shtetasin K. I., ka qëlluar në ajër me armë zjarri për të kanosur shtetasit M. H., 52 vjeç, L. H., 21 vjeç, O. H., 25 vjeç, R. H., 21 vjeç, J. Sh., 18 vjeç dhe K. D., 18 vjeç, banues në Peshkopi dhe Pollozhan.

Për këta shtetas, si dhe për shtetasit K. C., 70 vjeç dhe R. C., 42 vjeç, banues në Pollozhan, ka nisur procedimi penal për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", pasi, megjithëse kanë pasur dijeni për ngjarjen, nuk e kanë kallëzuar atë pranë organeve të Policisë.

Gjithashtu, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë edhe për shtetasin G. I., 44 vjeç, banues në Pollozhan, pasi dyshohet se ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB