VLORË- Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të diele në aksin Vlorë–Llogara, pranë fshatit Fushë Dukat, ku një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, një furgon që transportonte punëtorë dhe drejtohej nga 22-vjeçari Sako Rexha, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor. Punëtorët dyshohet se ishin nisur nga Tirana drejt bregdetit.
Shkaqet e aksidentit nuk janë ende të qarta, por burime paraprake bëjnë me dije se dyshohet për humbje të kontrollit të mjetit si pasojë e përgjumjes së drejtuesit ose e një problemi të papritur shëndetësor.
Mësohet se mjeti ka mbetur i shkatërruar plotësisht për shkak të përplasjes së forta, aq sa ekipet e zjarrfikëses ndërhynë për të prerë pjesë të mjetit, pasi të plagosurit kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave.
Si pasojë e aksidentit humbi jetën Ilir Haka, 52-vjeç, ndërsa të plagosur mbetën Saimir Haka, 22-vjeç, Qazim Haka, 44-vjeç dhe Sako Rexha, rreth 22-vjeç. Të lënduarit u transportuan me ambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
"Rreth orës 06:10, në aksin rrugor Vlorë–Llogora, në vendin e quajtur "Fushë Dukat", një automjet tip furgon, me drejtues shtetasin S. R., 22 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje njëri prej pasagjerëve, shtetasi I. H., 52 vjeç. Drejtuesi i mjetit dhe 3 pasagjerët e tjerë janë transportuar në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve", njofton policia.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet hetimore dhe matjet për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e plotë të aksidentit./ZËRI