Aktualitet

Reforma Territoriale/ Banorët e Prrenjasit kundërshtojnë bashkimin me Librazhdin, gati drafti për t’ia çuar kryeministrit Rama

Qëllimi i kësaj nisme është hartimi i një dokumenti argumentues, i cili do të paraqesë potencialet ekonomike, historike dhe kulturore të zonës, për të mbështetur kërkesën që Prrenjasi të vijojë të jetë një bashki më vete.

zh.ll
Reforma Territoriale/ Banorët e Prrenjasit kundërshtojnë
takimi i banoreve ne prrenjas

PRRENJAS- Debati për reformën e re territoriale ka sjellë reagimin e qytetarëve të Prrenjasit, të cilët janë organizuar në një nismë të përbashkët për të kundërshtuar çdo mundësi të bashkimit të bashkisë me Librazhdin.

Në takimin e parë të zhvilluar, banorë të zonës, përfaqësues të komunitetit, intelektualë, sipërmarrës, fermerë dhe të rinj kanë shprehur qëndrimin se Prrenjasi duhet të ruajë autonominë administrative, duke ngritur Aleancën për Mbrojtjen e Bashkisë Prrenjas.

Qëllimi i kësaj nisme është hartimi i një dokumenti argumentues, i cili do të paraqesë potencialet ekonomike, historike dhe kulturore të zonës, për të mbështetur kërkesën që Prrenjasi të vijojë të jetë një bashki më vete.

Sipas organizatorëve, materiali pritet të dorëzohet në shtator pranë institucioneve vendimmarrëse, përfshirë Komisionin Parlamentar për Reformën Territoriale, qeverinë dhe Parlamentin.

Gjatë takimit, qytetarët kërkuan që kjo çështje të mos përdoret politikisht, duke theksuar se mbrojtja e territorit dhe identitetit të zonës është një çështje që i përket të gjithë komunitetit.

Organizatorët deklaruan se Aleanca do të funksionojë si një nismë qytetare, larg ndikimeve partiake, me fokus ruajtjen e zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor të Prrenjasit.

Deklarata e kryetarit të Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, mbi mundësinë që Bashkia Prrenjas të shndërrohet në një njësi administrative të Bashkisë Librazhd, ka ngjallur reagime të forta në qytet. Përtej bindjeve politike, qytetarët e Prrenjasit janë bashkuar në kundërshtimin e këtij propozimi, duke e cilësuar atë si një cenim të identitetit dhe përfaqësimit të tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB