Aktualitet

"Irena Gjoka"/ Akuzat për falsifikim dhe 'furtuna' e mediave greke për Belerin

Vendim i marrë nga trupa gjykuese nën drejtimin e Irena Gjokës, gjyqëtares antikorrupsion, e cila dominoi katër ditët politike të vendit.

E.K
"Irena Gjoka"/ Akuzat për falsifikim dhe 'furtuna' e
Sali Berisha, Irena Gjoka dhe Fredi Beleri

TIRANË- Gjyqtarja e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka është një nga gjyqtaret më të komentuara të sistemit të drejtësisë kjo dhe për shkak të dosjeve sensitive të shqyrtuara prej saj, ndër më të rëndësishmet, privatizimi i ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Dosje që çoi në arrest shtëpie kryedemokratin Sali Berisha dhe në burg dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Ky i fundit u lirua më vonë dhe u la në arrest shtëpie. Por përpos këtyre çështjeve, emri i Gjokës u lakua sërish shumë fort tre ditë më parë, kjo dhe për shkak se ajo do të kishte në dorë dhe “fatin” politik të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.

“Gurin e parë”, e hodhi Sali Berisha. Teksa mbante fjalimin në dritaren e banesës ai pyeti gjyqtaren nëse ka përdorur më herët mbiemrin Spata. Kjo i hapi rrugë një debati të gjatë nëse Irena Gjoka ka pasur një dënim në Greqi dhe a ka mashtruar shtetin grek në lidhje me falsifikimin e disa dokumenteve për të përfituar leje qëndrimi në Greqi. Pikërisht për këtë e pyeste dhe Sali Berisha më 1 mars.

Sali Berisha: Këtu para jush i kam shtruar një pyetje asaj turp gjykatëses, apo ti themi haptas llum gjykatëses. I kam shtruar një pyetje; a je përzënë ndonjëherë nga ndonjë vend për punëra llumi? Nuk ka kthyer përgjigje. Sonte do ta pyes në emrin tuaj dhe mbarë shqiptarëve, këtë llum gjykatëse; ke përdorur ndonjëherë mbiemrin Spata se të është dashur. Irena Spata e ke quajtur ndonjëherë veten ti? Nuk te turp ti moj, ti je një hajdute ordinere, e paftyrë, pa pamoral, pa asgjë, që mbahesh aty si skllave e krimeve tua. Sonte i them këto në emër të betejës tuaj të përnatshme.

Pas kësaj deklarate reagoi sërish Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), i cili bënte thirrje që të mos intimidohen gjykatësit. Me anë të një deklarate për mediat KLGJ shprehej se këto deklarime të përsëritura publike në media përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar kompromentimin e pavarësisë së gjyqësorit, nëpërmjet përndjekjes mediatike.

Reagimi i KLGJ: Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit sa i përket deklaratave publike në media nga persona publik dhe mbrojtësve të tyre në procesin penal, të cilat në përmbajtjen e tyre cënojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e znj. Irena Gjoka, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Këshilli vëren me keqardhje se këto deklarime të përsëritura publike në media përbëjnë sulm ndaj gjyqtarëve për shkak të detyrës, duke synuar kompromentimin e pavarësisë së gjyqësorit, nëpërmjet përndjekjes mediatike. Njëkohësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se këto qëndrime jo vetëm që ndikojnë negativisht në besimin e publikut ndaj pushtetit gjyqësor por edhe krijojnë imazhin e gabuar mbi veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës me synimin për t’i detyruar ata të japin vendime në kundërshtim me parimet e pavarësisë dhe paanësisë. Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se avokatët në bazë të ligjit dhe kodit etik profesional, duhet të sillen me respekt, ndershmëri dhe integritet kundrejt gjykatës, në funksion të përfaqësimit të interesave të klientëve. Këshilli i Lartë Gjyqësor fton të gjithë aktorët të respektojnë gjyqtarët dhe impenjimin e tyre në forcimin e shtetit të së drejtës, pasi dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi apo ndërhyrjeje nga subjektet publike apo private. Në respektim të dispozitave ligjore në fuqi, sjellim në vëmendje se mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë.

Tre ditë më pas do të vinte një deklaratë e fortë nga mediat greke. Konkretisht In Newspaper do të publikonte një artikull ku shkruante se Irena Gjoka është dënuar në Greqi për falsifikim të dokumenteve. Më tej artikulli thoshte se Gjoka nuk e ka deklaruar këtë në formularët e procesit të vetingut dhe se procesi ka dështuar në kapjen e këtyre shkeljeve. Artikulli shkaktoi dhe “furtunë” politike, përpos asaj mediake.

Pjesë nga artikulli: Sipas dëshmive në të kaluarën, Irena Shpata ishte arrestuar në Greqi për përdorimin e dokumenteve false, me të cilat tentonte të tregonte se ishte me origjinë greke. Për këtë arsye, asaj iu ndalua hyrja në vendet e Shengenit për 12 vjet dhe të dhënat e saj së bashku me gjurmët e gishtërinjve u regjistruan në bazën përkatëse të të dhënave. Më konkretisht, Irena Shpata së bashku me bashkëshortin e saj të parë që mbante mbiemrin Maneku tentuan të hynin në Greqi më 24 dhjetor 2002 nga A.T. Kakavias duke përdorur një vizë konsullore të falsifikuar për sa i përket periudhës së vlefshmërisë. Deri atëherë, veri-pirotasit merrnin viza konsullore 100 ditë dhe shqiptarët deri në 90 ditë. Nëse dikush kishte një vizë konsullore 100 ditore, ai mund të merrte një kartë identiteti speciale të emigrantit (EDTO) në Greqi. Ajo kishte falsifikuar kohëzgjatjen e vlefshmërisë së vizës konsullore për të dalë se ishte 100 ditë, duke u përpjekur të tregonte se gjoja ishte nga Vorio-Epiri. Së bashku me bashkëshortin e saj në atë kohë, ata apeluan në një gjykatë administrative në Greqi. Kërkesa e tyre u refuzua.

Vetë Irena Gjoka nuk iu përgjigj këtyre akuzave. Ndërkohë këtë martë reagoi zyrtarisht dhe Policia Greke. Autoritetet hodhën poshtë pretendimet. Në një reagim për “TCH”,ata shpreheshin se Gjoka nuk është në asnjë regjistër penal grek dhe në asnjë dosje ku ndodhen emrat e personave të ndaluar më parë nga Policia greke.

Këto katër ditë kanë qenë intensive, si për arenën politike ashtu dhe për atë gjyqësore. Këtë të martë Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), vendosi dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri me 2 vjet e 6 muaj burg për akuzën e blerjes së votave. Vendim i marrë nga trupa gjykuese nën drejtimin e Irena Gjokës, gjyqëtares antikorrupsion, e cila dominoi katër ditët politike të vendit./ZËRI

Poll

MOS HUMB