
PRISHTINË-SHKUP- Incidenti me Presidenten Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit ka nxitur reagime të shumta, të cilat vazhdojnë edhe sot, 2 ditë pas ngjarjes. Sipas Presidencës së Kosovës, ajo u shty fizikisht dhe personeli i sigurimit të aeroportit tentoi t’i merrte telefonin dhe sendet personale. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarime dhe hetime për incidentin. Kryediplomatja Donika Gërvalla, tha se kjo nuk është hera e parë që incidente të tilla të ngjashme kanë ndodhur.
Të njëjtën gjë ka pohuar edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, pas takimit që zhvilloi me Gërvallën lidhur me incidentin e së enjtjes.
Fetai tha se institucionet maqedonase janë duke kryer hetimet e nevojshme dhe se do të ketë përgjegjësi për çdo shkelje që do të mund të konstatohet nga regjistrimet e kamerave të aeroportit
Reagimi nga Shkupi
“I dëgjova shqetësimet e Ministres, e cila më njoftoi për sjellje të pahijshme drejt delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës që ka patur në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve nga ana e personelit të sigurisë të angazhuar nga kompania në fjalë. Ramë dakord se raportet ndërshtetërore në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe se do të angazhohemi së bashku për t’i thelluar ato edhe më tej, mbi bazën e partneritetit, si shtete aleate që ndajnë vlera të përbashkëta dhe janë të lidhura ngushtë”, ka shkruar dje Fetai në Facebook.
Reagimi nga Prishtina
Presidenca kërkoi nga autoritetet në Shkup që të merren masa ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës tha se i ka paraqitur një notë proteste autoriteteve maqedonase, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje.
“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, thuhej në reagim. Pas deklaratës së Presidencës dhe notës së protestës, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ku shprehu keqardhje dhe e quajti rastin një keqkuptim.
Reagimi nga Shkupi
“Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, pa çështje të hapura dhe me dialog të sinqertë dhe të vazhdueshëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, shprehim keqardhjen tonë për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të djeshëm të Shkelqësisë së Saj Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmanit në aeroportin ndërkombëtar në Shkup”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga MPJ e Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti reagoi në rrjetet sociale në lidhje me incidentin duke e dënuar ashpër. Ahmeti kërkoi falje në emër të tyre, ndërsa u shpreh se ndihet i turpëruar nga kjo ngjarje.
“E dashur Presidente, më vjen shumë keq për incidentin dhe skandalin e papranueshëm diplomatik në aeroportin e Shkupit dhe e dënoj në formën më të ashpër të mundshme. Unë skuqem nga turpi i tyre dhe lus të gjithë vëllezërit dhe motrat në Kosovë, por edhe qytetarët tanë, që t’i falin për arsye se nuk dinë se ç’bëjnë. Kur nuk kanë turp të shkelin mbi popullin e vet, mbi vullnetin demokratik të qytetarëve në zgjedhje e të vihen në shërbim vazal e servil të tjetër kujt duke na sjell Putinin e Vuçiçin në Qeveri, atëherë si pyet askush për asgjë dhe na turpërojnë çdo ditë, nga disa herë me radhë”, u shpreh Ali Ahmeti.
Presidenca e Kosovës njoftoi se me 1 gusht, Osmanit ishte tentuar t’i merrej telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit. Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase ka deklaruar se më 1 gusht, Osmani teksa po kalonte kontrollin kufitar, kur i është kërkuar që ta lë telefonin dhe të kalojë përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj ka shtyrë punonjësin e areportit, me qëllim që ajo të kalonte pa skanuarin telefonin dhe bagazhin e dorës.
Reagimi nga Prishtina
Por, Presidenca e Kosovës tha se ky është një urdhër që bie ndesh me rregullat diplomatike.
“Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB-ja e Maqedonisë pranuan se urdhri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontroll të tillë, bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, thuhej në reagimin e Presidencës kosovare.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë reagim nga Kurti, por as nga Konjufca, për incidentin në fjalë. Incidenti në fjalë ndodhi të enjten në Shkup, kur stafi i sigurisë të aeroportit kërkoi të kontrollonte me skaner telefonin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani. Punonjësit e kompanisë që menaxhon aeroportin ndërkombëtar të Shkupit u përplasën fizikisht edhe me truprojat e presidentes Osmani./ZËRI/