Në qytetet e Elbasanit, Fierit dhe Durrësit, ndodhën një seri incidentesh gjatë natës së Vitit të Ri, të cilat sollën dëme materiale si dhe lëndime të lehta tek disa individë. Urgjencat e spitaleve u mbushën me njerëz që kërkonin trajtim për probleme të ndryshme shëndetësore.
Çfarë u regjistrua mbrëmë në Elbasan?
-Dy makina u dogjën nga hedhja e fishekzjarreve.
-Një pemë u përfshi nga flakët për shkak të mjeteve piroteknike të hedhura.
Në Librazhd, një kabinë elektrike u përfshi në flakë për shkak të mbingarkesës së rrjetit. Pas ndërrimit të viteve, në urgjencën e Elbasanit janë paraqitur disa raste me intoksikim nga alkooli, por fatmirësisht, nuk pati raste të rënda.
Çfarë ndodhi pas mesnatës në Fier?
Për shkak të konsumimit të lartë të alkoolit, 25 të rinj të grupmoshës 20-30 vjeç janë paraqitur në urgjencë për të marrë mjekimin e duhur. Tre persona kanë marrë lëndime të lehta si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike, të cilët fatmirësisht nuk kishin marrë plagë të rënda.
Durrësi disi më i qetë...
Sipas burimeve të policisë, Durrësi ka kaluar një natë të qetë, pa incidente të rënda. Vetëm një zjarr i dyshuar si aksidental ka rënë gjatë natës në një market në lagjen nr. 8 të qytetit, i cili u vu nën kontroll menjëherë nga shërbimet zjarrfikëse të qytetit. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Megjithatë, në urgjencën e spitalit të Durrësit, situata nuk ka qenë aq e qetë. Rreth 250 persona janë paraqitur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, me problematika të ndryshme shëndetësore, përfshirë dhe të sëmurët kronikë.
Shumica e rasteve kanë të bëjnë me persona që janë paraqitur në gjendje të dehur nga konsumimi i tepruar i pijeve alkoolike. Sot ka ardhur në jetë bebja e parë për këtë vit në qytet, e cila është vajzë./ZËRI