
TIRANË- Aurelio Dervishi, i cili u vra mbrëmjen e djeshme në Tiranë, do të përcillet sot pasdite për në banesën e fundit. Miqtë e përshkruajnë atë si një djalë të qetë, që qëndronte larg sherreve, dhe ndihmonte të atin me punime elektrike.
Ata shprehen se e kishin takuar gjysmë ore para ngjarjes, ku ishte pasagjer në një makinë, ndërsa nuk e kishin vënë re se me kë ishte.
“Aurelio ka qenë djalë shumë i mirë. I qëndronte larg sherrit dhe bënte shumë për shoqërinë. Pasi mbaroi gjimnazin punonte me të atin, bënin punime elektrike. E takuam gjysmë ore para ngjarjes. Ishte pasagjer në një makinë. Ishte i qetë. Nuk e pamë me kë ishte i shoqëruar”, thanë për Top Channel miqtë e viktimës.
18-vjeçari ishte në vendin dhe momentin e gabuar, pasi nuk ishte ai shkaku i sherrit mes të rinjve një natë më parë. Shoku që ishte në drejtimin e makinës, ishte i lidhur me një vajzë, e cila më herët kishte qenë e dashura e njërit prej agresorëve.
Dervishi në momentin e përplasjes ka qenë bashkë me të riun që ka patur konfliktin, si dhe me një shok tjetër, të cilat kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip “Audi”. Bashkë me ta në mjet mësohet se ka qenë dhe vajza, e cila u bë “molla e sherrit”.
Ndërkohë, Fensis Shehu dhe tre të miturit kanë qenë duke udhëtuar me një autopmjet tip “Volksëagen Tiguan”, ngjyrë gri. Mësohet se Aurelio Dervishi ka qenë pasagjer tek mjeti tip “Audi” dhe pasi ka zbritur nga makina është përplasur verbalisht dhe fizikisht.
Duke qenë se viktima ishte i fuqishëm fizikisht nuk e kanë mundur me grushte, e kanë goditur me thikë në gjoks. Ai është tentuar të dërgohet me urgjencë për ndihmë mjekësore, por nuk ka arritur dot t’i mbijetojë plagës së marrë dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Dyshohet se personi që e ka goditur me thikë në gjoks Dervishin ka qenë i mituri 15-vjeçar, tashmë i ndaluar nga Policia. Pas krimit të rëndë, autorët me automjet tip “Tiguan” dyshohet se u larguan drejt Unazës Lindore, por u kapën ditën e sotme në Farkë.
/ZËRI