Aktualitet

I përfshirë në dosjen e Beqajt, GJKKO ndryshon masën e sigurisë për biznesmenin Gazmend Haxhia

Haxhia nuk komentoi për mediat, nëse kishte apo jo njohje me ish-ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj

E.K
I përfshirë në dosjen e Beqajt, GJKKO ndryshon masën e
Gazmend Haxhia

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka ndryshuar masën e sigurisë për biznesmenin Gazmend Haxhia, nga arrest shtëpie, në detyrim paraqitje. Haxhija u vetëdorëzua dy ditë më parë në Rinas, për shkak se SPAK kishte kërkuar ndaj tij masën e sigurisë arrest shtëpie, në lidhje me dosjen e abuzimit me fondet e BE-së, për të cilën është vënë në pranga dhe ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj. Haxhia u paraqit në ambientet e Gjykatës së Posaçme në shoqërinë e avokatit të tij Henrik Ligori. 

Haxhia nuk iu përgjigj interesit të mediave për njohjet apo lidhjet me Ilir Beqajn. Gjithashtu ai nuk dha përgjigje konkrete edhe për aksionet e tij në hotelin në bregdetin e Durrësit ku është aksioner edhe Redi Molla. Burimet i thanë ZËRI-t se brenda gjykatës, Haxhia tha se nuk ka lidhje me akuzat e ngritura nga SPAK. Mbrojtja ofroi garanci pasurore për heqjen e masës, por gjykata nuk e pranoi. 

Një ndër kompanitë e biznesmenit Haxhia ka prerë kontratë fiktive për llogari të Beqajt dhe Kurtulajt. Nga ana tjetër emri i biznesmenit Haxhia nuk është i panjohur, pasi në një mënyrë apo në një tjetër, ai është i lidhur dhe me dosjen e 5D, të drejtorëve të bashkisë së Tiranës, të vënë tashmë në pranga. Haxhia është aksioner në hotelin me 5 yje që po ndërtohet në Durrës, ku 24% të aksioneve janë sekuestruar me urdhër të SPAK pasi i përkisnin drejtorit të vënë në pranga Redi Molla.

Gazmend Haxhia është aksioner dhe administrator në disa biznese, përfshi Konçesionarin e Opel, të njohur si Noshi dhe me 25 % të aksioneve në Universitetin Polis./ZËRI

Poll

MOS HUMB