Aktualitet

E rëndë në Sarandë, plagoset ish-efektivi i policisë, u arrestua për kokainë. Pak muaj më parë përfitoi nga amnistia

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë një hoteli në qytetin e Sarandës

E.K
E rëndë në Sarandë, plagoset ish-efektivi i policisë, u
Lavdosh Metaj

SARANDË- Ish efektivi i policisë së Sarandës, Lavdosh Metaj, 41-vjeç, i arrestuar në vitin 2021 për shpërndarje kokaine dhe i liruar 3 muaj më parë më parë për shkak të amnistisë, ka mbetur i plagosur në orët e para të mëngjesit të sotëm.

41-vjeçari me origjinë nga Mallakastra, dyshohet të jetë goditur me thikë nga roja i një hoteli në lagjen nr.1 në Sarandë. Metaj kishte parkuar automjetin brenda hotelit dhe kur ka shkuar ta marrë, nuk ka pranuar të kryejë pagesën.

Për këtë shkak është konfliktuar verbalisht dhe më pas fizikisht me rojën e hotelit, çka ka degjeneruar në përdorimin e thikës. Metaj është transportuar drejt spitalit të Sarandës ku ka marrë ndihmën i parë. Policia është ndodhur menjëherë në vendngjarje dhe ka shoqëruar autorin e dyshuar me inicialet A. Sh.

"Plagosi me mjet prerës (thikë), një shtetas, gjatë një konflikti të çastit, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasi L. M., kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat i kërkimeve, pas disa orësh, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit, shtetasit: A. Sh., 41 vjeç, banues në Sarandë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 11.07.2024, rreth orës 03:40, në lagjen nr.1, në një vendparkim, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin L. M., 41 vjeç, banues në Sarandë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme", njofton Policia. 

Lavdosh Metaj, ka shërbyer për disa vite në Komisariatin e Policisë Sarandë në detyra të ndryshme. Në qershor 2021, teksa shërbente në repartin “Shqiponja”, u arrestua pas një operacioni të AMP. Ai u akuzua për shpërndarje kokaine në qytet, ndërkohë që procedimi fillestar kishte nisur edhe për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës drejt Greqisë.

Nga kontrollu i AMP atij iu zbulua 166 gram kokainë e destinuar për shpërndarje në qytetin e Sarandës. Metaj u dënua nga Gjykata e Sarandës me 5.4 vite burg, por u lirua për shkak të amnistisë në prill të vitit 2024./ZËRI 

Poll

MOS HUMB