
TIRANË- Zamir Kalemi, vëllai i Andrea Kalemit, një emër i njohur në botën e krimit është tentuar të ekzekutohet një natë më parë në zonën e Selitës në Tiranë. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një makinë në lëvizje, ndërsa fatmirësisht i mbijetoi sulmit duke marrë një plumb në këmbë. Ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se Zamir Kalemi, është vënë në “shënjestër” pas disa atentateve të dështuara ndaj vëllait të tij në burgun grek.
Pas ngjarjes autorët, ashtu si dhe në ngjarje të tjera kriminale, dogjën mjetin në Bërzhitë duke humbur gjurmët. Raportohet se autorët e kanë ruajtuar "shënjestrën" dhe kanë pritur momentin e duhur për të sulmuar. Ata lëviznin me një makinë tip "Nissan" me targa të vjedhura dhe në momentin që kanë hapur zjarr kanë lëvizur paralel me Zamir Kalemin. Ky i fundit për ti shpëtuar breshërisë së plumbave ka devijuar rrugën dhe është përplasur me barrierat anësore. Policia ka gjetur 15 gëzhoja në vendin e ngjarjes. Ndërsa Kalemi është dërguar në spital me një makinë rasti.
Pavarësisht se zona u rrethua, Policia nuk arriti të bjerë në gjurmët e tyre, ndërsa atentatorët mbeten ende mister, po ashtu dhe urdhëruesi i atentatit që zgjoi dhe njëherë “frikën” për nisjen e një vale të re hakmarrjeje.
Zamir Kalemi është një i afërm i Aleksandër Sadikajt, i cili dyshohet se është ekzekutuar me urdhër të biznesmenit Edmond Papa, gjithashtu i ekzekutuar. Për vrasjen e Papës u arrestua miku i Kalemit, Albano Velo, ndërsa u shpall në kërkim Andrea Bode.
35-vjeçari është ortak me të vëllain Andrea Kalemi, në firmën "Shiza Kalemi" në qytetin e Memaliajt, pranë Tepelenës, për shitje me pakicë dhe shumicë produktesh, restorante, pika servisi, parkingje, lavazhe, hotele, etj./ZËRI