
FIER- Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e Fredi Belerit, për lirimin e tij me kusht nga qelia. Ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, dhe njëherësh përfaqësues i Greqisë në parlamentin europian, fiton lirinë pas më shumë se një viti nga arrestimi i tij në datën 12 Maj, të vitit të kaluar. Procesi gjyqësor i Belerit është shndërruar në një telenovelë, dhe në një mollë sherri në marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Ai u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve lokale në Himarë, të cilat i fitoi me një diferencë të ngushtë votash, edhe pse nuk e ushtroi qoftë edhe një ditë të vetme mandatin e tij si kryebashkiak. Arrestimi i tij, dhe më pas vakanca në krye të Bashkisë së Himarës, sollën një sërë ngërçesh dhe parrregullsish ligjore, të cilat u përmbyllën në 4 Gusht të këtij viti, me zgjedhjet e pjesshme që u mbajtën për qytezën jugore të vendit.
Belerit iu refuzuan dhjetra kërkesa për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, ndërkohë që të njëjtat institucione lejuan betimin e tij si eurodeputet në Bruksel, duke e nxjerrë me kusht nga qelia për 5 ditë. Vetë Beleri ka paralajmëruar se procesin, dhe vendimmarrjen ndaj tij nga Gjykatat vendase do ta çojë në Gjykatën e Strasburgut.
Avokati i Belerit, Geni Gjyzari, në fund të seancës së sotme, falenderoi Gjykatën e Fierit për qëndrimin e mbajtur. Ai aludoi se lirimi i Belerit, njësoj si dhe arrestimi i tij janë bërë me urdhër politik, dhe vijnë në një kohë që procesi zgjedhor për Bashkinë e Himarës është përmbyllur.
“Gjykata e pranoi kërkesën tonë, urdhëroi lirimin para kohe, mbeteshin edhe rreth 6 javë nga lirimi. Respekte për gjykatën. U vendos lirimi me kusht, rreth 2 muaj i kishin mbetur. Ai pronari që ka çelsat e burgut dha lejen pas zgjedhjeve që të dalë”, tha ai.
Pas lirimit nga qelia, Beleri tha se lufta e tij për drejtësi fillon tani. Ai gjithashtu bëri me dije se do të ankimoj në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për atë që iu mohua, sipas tij, nga regjimi shqiptar gjatë një grushti shteti. Sipas mediave greke, Beleri tha se do t’i drejtohet qytetit të Himarës, ku edhe do të mbajë një fjalim para mbështetësve të tij.
“Pas 16 muajsh paraburgim të vazhdueshëm, tani jam i lirë dhe krenar, por sigurisht jo i lumtur sepse shteti i së drejtës dhe demokracia në Shqipëri nuk u rivendos, institucionet nuk funksionuan, drejtësia nuk u dha ashtu siç duhet. Vendimi i sotëm është vetëm një pikë në oqeanin e drejtësisë. Lufta ime tani fillon. Vetëkuptohet se do të ankimoj në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për atë që më mohoi regjimi shqiptar në një grusht shteti. Sot do të jem mes vëllezërve të mi në Himarë. Aty ku filloi aventura ime dhe e konsideroj të drejtë të jetë. Nga zemra, dua të falënderoj kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili me vendimin e tij të guximshëm për të më përfshirë në votën evropiane të Demokracisë së Re ndryshoi rrjedhën e historisë sime. Dhe sigurisht miqtë e mi të ngushtë, Angelos Syrigos dhe Stavros Papastavrou për mbështetjen e tyre të palëkundur. Ishin gjithmonë aty, nuk do ta harroj. Në fund, dua të falënderoj qytetarët grekë që gjatë gjithë kësaj kohe më kanë dhënë forcën të mos përkulem, të duroj dhe të vazhdoj të luftoj”, tha Fredi Beleri.
Fredi Beleri është dënuar me 2 vite burgim për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet e 14 Majit 2023 në Himarë, teksa sipas dy shkallëve të GJKKO u provua se pagoi 400 euro për 8 vota. /ZËRI