
TIRANË- Gjykata e Fierit ka lënë të lirë sot (me kusht) tashmë eurodeputetin e Partisë "Neodemokracia", Fredi Belerin. Në deklaratat e tij të para mediave, Beleri tha se tashmë është gati që të dërgojë çështjen e tij në Gjykatën e Strasburgut, por pa lënë mënjanë detyrat e tij si eurodeputet. Ndoshta nga emocioni i lirimit (edhe pse vetë u shpreh se nuk kishte festuar për vendimin) ngatërroi edhe vendin se ku do të punojë, duke menduar se do të jetë Brukseli "shtëpia e tij" e re, kur në fakt, Parlamenti Europian e ka selinë në Strasburg. Po ashtu, i pyetur nga mediat, nuk la pa komentuar edhe pasuesin e tij në detyrë si kryebashkiak i Himarës, Vangjel Tavon. Për këtë të fundit Beleri tha se do të komunikojë normalisht, por shtoi se Himara ka vetëm një kryebashkiak dhe është vetë ai.
INTERVISTA E PLOTË:
Po festoni ndërkohë që keni humbur zgjedhjet në Himarë, ka vend për të shpresuar?
Beleri: Në Shqipëri nuk ka zgjedhje sepse pushteti ka vendosur që këtu të mos ketë zgjedhje. Zgjedhjet ishin bërë në 14 maj. Unë fitova në 14 maj dhe këto që zhvilluan tani në gusht ishin të paligjshme. I paligjshëm ishte shkarkimi im, dekreti i presidentit. Vendimi i kryeministrit, i cili implikoi të gjithë mafien për të fituar zgjedhjet në fshat (Himarë).
Si e konsideroni veten të fituar apo të humbur? Çfarë plani keni si eurodeputet?
Beleri: Duhet të dini që liria është e shenjtë për çdo njeri de një ditë në burg nuk ja vlen nëse je padrejtësisht, do të luftoj nga një pozicion tjetër për këtë padrejtësi. Të jem eurodeputet është një nder i madh. Unë bëj pjesë në partitë popullore të BE-së dhe me mundësinë që kam do të ngre zërin për padrejtësitë që bëhen në Shqipëri.
E prisnit lirimin në ditën e sotme? A festuat?
Beleri: Nuk kam bërë asnjë festë. Vendimi sot ishte politik ashtu si janë vendimet në Shqipëri. Do vazhdoj betejën ligjore në Strasburg. Për mua kjo çështje do të mbyllet në Strasburg dhe atje do të kërkoj të drejtën time dhe do të vërtetoj se jam burgosur padrejtësisht.
Për rezultatin e zgjedhjeve të Himarës, çfarë keni të thoni?
Beleri: Nuk duhet të ishin bërë. Qytetarëve iu mohua e drejta që të votonin. Nuk kam për të thënë gjë. Zgjedhjet ishin bërë në 14 maj 2023. Himara kishte kryetar bashkie.
Me Vangjel Tavon çfarë marrëdhënie do të keni? Do qëndroni në Himarë apo në Athinë?
Beleri: Në Bruksel dhe në Athinë. Me Tavon do komunikoj, edhe me Tavon edhe më këdo që punon dhe do të punojë për të mirën e Himarës. Nuk besoj se Vangjel Tavo, nga mënyra sesi u përzgjodh, ka legjimitetin e qytetarëve të Himarës. Mund të jetë kryetar i Bashkisë së 'stërbaçit', por jo i Himarës.
Do vazhdoni karrierën politikë në Shqipëri, do garoni në zgjedhjet e ardhshme?
Beleri: Sigurisht! Ju thashë që do shkoj në Strasburg.
Fredi Beleri është dënuar me 2 vite burgim për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet e 14 Majit 2023 në Himarë, teksa sipas dy shkallëve të GJKKO u provua se pagoi 400 euro për 8 vota. Ai ndodhej pas hekurave prej datës 12 Maj 2023, por edhe pse nga qelia, arriti të fitojë zgjedhjet e 14 Majit të vitit. Por nuk u betua si kryebashkiak i Himarës pasi KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e tij.Edhe pse kurrë nuk u lejua të betohej si kryebashkiak, pak javë më parë atij iu dha leje nga drejtoria e Burgjeve që të bënte betimin si eurodeputet në Parlamentin Europian, si përfaqësues i Greqisë./ZËRI