
TIRANË- Ergys Mezini dhe Tea Karanxha, respektivisht pronari i "Global Cosmetics & Production" dhe pronarja e "Global Beauty & Cosmetics" janë nën hetim për shkak se akuzohen se kanë futur në Shqipëri mallra kontrabandë. Të dy, sipas të dhënave që ZËRI ka siguruar, janë procedurat në gjendje të lirë, ndërkohë që materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.
Por si është zbuluar mashtrimi?
Ka qenë Krimi Ekonomik ai që ka ushtruar kontrollet në biznesin "Global Cosmetics & Production" nën administrim të Mezinit, ku edhe janë gjetur produktet kontrabandë. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, janë gjetur dhe sekuestruar: 60 shishe shampo 300mg të markës "L'Oreal", 20 kuti me maska floku po të markës "L'Oreal", 260 tubetë me bojë flokësh të markës "L'Oreal", si dhe 32 kremëra flokësh po të markës "L'Oreal".
Këto produkte reklamoheshin në rrjete sociale por edhe pranë bizneseve të ndryshme, në bashkëpunim me Tea Karanxhën. Kjo e fundit është pronare e "Global Beauty & Cosmetics" dhe ka lidhje biznesi me subjektin "Global Cosmetics & Production" të Ergys Mezinit. Në të dy këto biznese, Policia ka zbuluar se kishte diferenca në inventarin e kryer nga hetimi tatimor.
“Më datë 19.07.2024, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin Ergys Mezini, banues në Tiranë, sepse me datë 18.07.2024, në rrugën "Nasi Pavllo”, te subjekti në administrim të tij "Global Cosmetics & Production" gjatë kontrollit, u konstatuan produkte të ndryshme kozmetike, të cilat ishin kontrabandë. Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan, 60 (gjashtëdhjetë) shishe shampo 300 mg me mbishkrimin L'oreal". 20 (njëzetë) kuti maska floku me mbishkrimin "L' oreal", 260 (dyqind e gjashtëdhjetë) tubete me bojë flokësh me mbishkrimin "L'oreal", si dhe 32 (tridhjetë e dy) kremra flokësh të markës "L'oreal". U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për shtetasen Tea Karanxha, banuese në Tiranë, sepse me datë 18.07.2024, në rrugën "'Nasi Pavllo", te subjekti në administrim të saj, “Global Beautv & Cosmetics". Gjatë kontrollit, rezultoi se kishte diferenca në inventarin e kryer nga hetimi tatimor. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua një sasi e konsiderueshme mallrash kozmetike rreth 3.000 (tre mijë) copë,"- njofton Policia./ZËRI