
TIRANË- Grupi i hakerave iranianë "Homeland Justice'' reagon sërish. Disa orë pasi hakëruan faqet e kompanisë telefonike "ONE Albania", kompanisë ajrore "Air Albania" dhe faqen e Kuvendit të Shqipërisë, pak minuta më parë, hakerat kanë paralajmëruar sulme të reja, pasi sipas tyre nuk është arritur objektivi.

Grupi i hakerave madje dhe ka publikuar edhe me video momentin kur aksesimi në faqet zyrtare të kompanive ka qenë i pamundur.Si pasojë, prej orëve të paradites së sotme, dyqanet e One kanë ulur qepenët. ZËRI ka tentuar që të marrë një sqarim zyrtar nga kompanitë dhe ka telefonuar numrat për shërbimin e klientit, por nuk ka arritur që të kontaktojë me asnjë prej kompanive. Në mungesë të përgjigjes me anë të telefonit, ZËRI ka dërguar edhe një kërkesë për informacion në adresën e tyre të emailit. Ndërkohë që mbetemi në pritje të një përgjigje, deri më tani as nga "One" dhe as nga "Air Albania" nuk ka asnjë reagim zyrtar. Edhe nga Kuvendi nuk ka asnjë reagim zyrtar. Sipas hakerave kjo është një hakmarrje për ndihmesën që Shqipëria i ka dhënë anëtarëve të MEK. që strehohen në zonën e Manzës./ZËRI