
TIRANË- Sokol Bushkola është arrestuar nga Policia për molotovin që hodhi dje para godinës së Bashkisë së Tiranës, duke rrezikuar jetën e gazetarëve që po mbulonin ngjarjen. Për 49-vjeçarin nga Thumana janë ngritur 5 vepra penale për të cilat do të gjykohet, një prej tyre është ajo për "vrasje me dashje" të mbetur në tentativë.
I njëjti person ka qenë i ndaluar edhe më 08 maj, por ishte liruar nga uniformat blu, për të përfunduar sërish në pranga sot.
NJOFTIMI I PLOTË:
Tiranë
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 28.05.2024, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasin: - S. B., 49 vjeç, banues në Thumanë, për veprat penale "Prishja e qetësisë publike", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse", "Shkatërrimi i pronës me zjarr", "Goditjet për shkak të detyrës" dhe "Vrasja me dashje" mbetur në tentativë. Ky shtetas është ndaluar dhe më datë 08 maj, në lidhje me protestën e datës 07 maj 2024. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. B., 22 vjeç, banues në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./ZËRI