
TIRANË- Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka reaguar këtë të martë pas incidentit të shkaktuar sot përpara Bashkisë së Tiranës, ku protestuesit hodhën molotov drejt godinës, por që një prej tyre rrezikoi dhe jetën e operatorëve, pas ranë këmbët e tyre. Ishte ragimi i tyre i shpejtë që i shpëtoi nga një incident, i cili mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda. AMA në reagimin e saj, kërkon nga Policia që të identifikojnë sa më parë dhe të ndjekin ligjërisht çdo akt që sulmon drejtpërdrejt apo rrezikon ekipet e medias që janë në kryerje të detyrës.
Reagimi:
Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, përcolli me shqetësim sot paradite (28.05.2024), incidentin para godinës së Bashkisë së Tiranës, ku siguria e grupit të reporterëve dhe kameramanëve të medias u vu në rrezik si pasojë e përdorimit të lëndëve shpërthyese (molotov). Pasiguria në punën e medias që mbulon një protestë a demonstratë është e papranueshme, është goditje për fjalën e lirë dhe kufizim për informimin e publikut.
Autoritetet ligjzbatuese të rendit, por dhe organizatorët e protestave, duhet të marrin masa konkrete për të mbrojtur aktivitetin e reporterëve në terren, për të lënë të hapur komunikimin e tyre me publikun në mbulimin e dinamikës së ngjarjeve. Ju kërkojmë autoriteteve, që të identifikojnë sa më parë dhe të ndjekin ligjërisht çdo akt që sulmon drejtpërdrejt apo rrezikon ekipet e medias që janë në kryerje të detyrës.
Një reeagim ka pasur dhe Shoqata e Gazetarëve Europianë në Shqipëri. Në reagimin e saj AEJ, i bën thirrje aktorëve politikë që kenë kujdes dhe të respektojnë gazetarët dhe kameramanët që ndjekin protesta dhe aktivitete të tilla. Po ashtu kanë kërkuar nga Policia vënien para drejtësisë të personave përgjegjës.
Reagimi:
Shoqata e Gazetarëve Europian seksioni shqiptar, shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjet e sotme, ku persona të panjohur hodhën molotov në drejtim të gazetarëve dhe kameramanëve gjatë protestës para bashkisë Tiranë, organizuar nga opozita dhe “Aleanca për teatrin”. AEJ Shqipëri, i bën thirrje aktorëve politikë që kenë kujdes dhe të respektojnë gazetarët dhe kameramanët që ndjekin protesta dhe aktivitete të tilla. AEJ i bën apel policisë së shtetit, që ti vendos para drejtësisë autorët e këtij incidenti që mund të merrte përmasa fatale
Ndërkohë më herët ka reaguar dhe Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë. Në reagimin e saj AGSH u bën thirrje drejtuesve të protestës që të mbajnë nën kontroll mbështetësit e tyre.
Reagimi:
Disa punonjës të medias, gazetarë dhe operatorë u rrezikuan seriozisht ditën e sotme në Tiranë, teksa po mbulonin një protestë përpara godinës së Bashkisë. Protestuesit hodhën koktejle molotovi të cilat përfunduan aty ku ishin duke punuar punonjësit e medias, të cilët ishin qartazi të identifikuar si të tillë. AGSH dënon ashpër aktin, dhe iu bën thirrje drejtuesve të protestës që të mbajnë nën kontroll mbështetësit e tyre. Ne i ftojmë autoritetet që të vënë përpara përgjegjësisë ligjore personat që kanë rrezikuar jetën e punonjësve të medias.
I ashpër ka qenë në reagimin e tij dhe deputeti socialist Erion Braçe, Ky i fundit përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se kjo situatë po kthehet në rrezik për shqiptarë dhe të huaj që lëvizin në qendër të Tiranës.
Reagimi:
Bashkia e Tiranës, qendra e Shqipërisë; Zona më e populluar në qytet! Molotov që për pak pjek të gjallë njerëz! Shikojeni edhe një herë; Kjo është tentativë vrasje, me dashje apo pa dashje, do ishte vrasje! Është hera e dytë në pak javë! Një armë-si molotovi, në dorë të kalamajve të papërgjegjshëm, me urdhër të partisë me kriminale ne vend, bën gjëmen! Kjo nuk ka me lidhje me Erion Velinë! Herën e tretë, me dashje apo nga budallallëku, kanë për të vrarë njerëz! Ndaleni! Kjo proteste po kthehet ne kriminale e rrezik për shqiptare e te huaj qe lëvizin në qendër të Shqipërisë! Ndaleni sa nuk kanë vrarë njeri!
Protesta e kësaj të marte është protesta e nëntë e organizuar nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit para Bashkisë së Tiranës. Protetuesit kërkojnë largimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, pas arrestimit të 5 ish-drejtorëve të rëndësishëm të bashkisë në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”. Ashtu si dhe në herët e tjera, protestuesit hodhën bomba molotovi para derës së bashkisë dhe u përplasën fizikisht me efektivët./ZËRI