
KOSOVË- Prokuroria Speciale e Kosovës shpalli një aktakuzë këtë të martë kundër dy priftërinjve ortodoksë shqiptarë, Niko Bllazhde, i njohur më mirë si At Nikolla Xhufka dhe Lejdi Zagalli. Ata akuzohen për nxitje të urrejtjes kombëtare, fetare dhe etnike. Kjo akuzë vjen pasi ata mbajtën një liturgji në kishën në verilindje të Kosovës dhe kanë paralajmëruar Kishën Ortodokse Serbe se rrezikon “zjarret e ferrit” nëse përpiqet të ndërhyjë. Ngjarja ka ndodhur në Nëntor të vitit të shkuar.
Pas ngjarjes, At Nikolla Xhufka përmes rrjetit social Facebook njoftoi se “kisha 500-vjeçare tashmë mban emrin “Fan Noli” dhe është nën juridiksionin e Kishës Kombëtare Ortodokse Shqiptare “Shën Kozmai” të Elbasanit”. At Nikolla Xhufka ka lindur në Elbasan.
Dioqeza Rashkë-Prizren e Kishës Ortodokse Serbe denoncoi veprimet e tyre, duke thënë se depërtimi ishte një “akt kriminal” dhe “një tjetër në serinë që synon uzurpimin e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.
“Dioqeza Rashkë-Prizren ka vite që e ka theksuar procesin e përvetësimit kulturor të trashëgimisë sonë”, thuhet në të.
“Ky incident i fundit konfirmon pretendimet tona, këtë herë në një mënyrë të pamohueshme dhe jashtëzakonisht shqetësuese.”
Në një deklaratë për Kosova Online, tre ditë pas liturgjisë, Kisha Ortodokse Shqiptare u distancua nga Bllazhda, duke e quajtur atë “mashtrues dhe person që nuk është prift”. Sipas prokurorëve, të dy personat i kanë mohuar akuzat./ZËRI