Aktualitet

Hetimet për sterilizimin drejt fundit, veçohet dosja për Ilir Beqajn

Për sterilizimin u mor në pyetje si person që kishte dijeni, edhe ministrja Ogerta Manastirliu

E.K
Hetimet për sterilizimin drejt fundit, veçohet dosja për Ilir
Ilir Beqaj gjate paraqitjeve ne SPAK

TIRANË- Hetimet për koncensionin e sterilizimit janë drejt fundit, ndërsa SPAK pritet që të veçojë dosjen për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, ndaj të cilit ka aktualisht një masë sigurimi detyrim paraqitje çdo javë në SPAK. Burime bëjnë me dije për ZËRIN se SPAK po merr në pyetje personat e fundit që mund të kenë dijeni për këtë koncension, mes tyre dhe Ogerta Manastirliu, e cila drejtoi për vite me radhë Ministrinë e Shëndetësisë.

Gjatë ditës së sotme, është paraqitur për t’u marrë në pyetje në SPAK, Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik KPP, Jonaid Myzyri. Ky i fundit është marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për rreth dy orë.

Hetimet për dosjen e sterilizimit po kryhen nga dy prokurorët, Ervin Kondili dhe Ened Nakuçi. Ishte gjyqtari i Posaçëm Erjon Bani, ai që kërkoi që Ilir Beqaj të ishte nën masën e arrestit dhe jo detyrim paraqitjes, siç kërkuan dy prokurorët. Edhe vetë kreu i SPAK, Altin Dumani do të pranonte pak javë më parë, përplasjen që kishte pasur me dy prokurorët, sa i takon çështjes së sterilizimit.

Në burg për aferën e sterilizimit mbahen biznesmeni Ilir Rrapaj, dhe ish-zëvendësministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj. Dosja e sterilizimit u kallëzua gjatë vitit 2019 nga 'Nisma Thurje' dhe Partia Demokratike. Denoncuesit pretendonin se kontratat e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale firmosur mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncensionare “Sani Service” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik.

Një auditim i KLSH nxori se pajisjet me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë. Për llogari të këtij hetimi, më 17 gusht 2023 SPAK arrestoi ish-zëvendës ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, fitues i koncesionit të Sterilizimit. 

Ndërsa nën hetim është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili është vendosur në masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”. Sipas vendimit Beqaj duhet të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditën e premte, ora 15.30. 

Nga ana tjetër, kontrata e dosjes së Sterilizimit u zhduk gjatë kohës që Artjola (Ola) Zaimi (Kurtulaj), ka qenë shefe protokolli në Ministrinë e Shëndetësisë, aty ku SPAK dhe BKH zbarkuan për të sekuestruar dokumentet e nevojshme në momentin që nisën hetimet për koncensionin e sterilizimit. Në këtë mënyrë, ajo shmangu daljen e emrit të bashkëshortit të saj, Ermal Kurtulaj, si i përfshirë në këtë skandal bashkë me Beqajn, por jo për shumë kohë. Kjo gjë është konfirmuar edhe nga vetë SPAK që ka deklaruar se për hetimet po punon mbi një kopje të njehsuar të kontratës, dërguar nga Ministria e Shëndetësisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB