
TIRANË- SPAK dhe BKH kanë vijuar gjatë natës kontrollet në ‘Delta Pharma’ dhe rrjetin e farmacive “Ditë e Natë”, pas dyshimeve se janë favorizuar me kontrata klienteliste nga ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj. Burime bëjnë me dije për Zërin se kontrollet janë zgjeruar dhe në banesat e aksionerëve dhe drejtuesve të kompanisë farmaceutike.
Në këtë kompani rezulton të ketë aksione dhe bashkëshortja e ish-ministrit, Adriana Beqaj. I gjithë operacioni i SPAK është shoqëruar me forca të shumta policore.
ZËRI raportoi më herët se BKH ka ushtruar kontrolle dhe në lokalin e Beqajt, Gzona, që ndodhet pranë Kalasë së Tiranës. Përveç aferës së sterilizimit, Beqaj është duke u hetuar për dhënien e kontratave klienteliste në fushën e farmaceutikës, në kohën kur ka mbajtur postin e ministrit të Shëndetsësisë.
Kontrollet nisën gjatë mesditës së djeshme, fillimisht në banesën e Beqajt, dhe më pas në zyrat e Delta Pharma dhe në rrjetin e farmacive. Prej aty janë marrë dokumente dhe faturave, që i shërbejnë hetimeve që ka nisur SPAK në drejtim të Beqajt.
Ish-ministri ka aktualisht masën shtrënguese "detyrim paraqitjeje" në Policinë Gjyqësore dhe ndalim dalje jashtë vendit. Ai po hetohet nga SPAK për "shpërdorim detyre" në procedurën e koncesionit për sterilizimin.
Atij iu kërkua të paraqitet çdo të premte në Byronë Kombëtare të Hetimit, të mos largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës si dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës apo mjeteve të tjera identifikuese për daljen jashtë shtetit.
Beqja është zyrtari më i lartë nën akuzë për kontratat PPP, ndërkohë që për të njëjtën çështje në burg është biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. SPAK ka hetuar për 3 vite këtë procedurë ku janë zbuluar shkelje të procedurave me qëllim dhënien e koncesionit, kompanisë së Rrapajt dhe italianit Umbro Staçini. Me caktimin e masës së sigurisë, Beqaj dha dhe dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës. /ZËRI