Aktualitet

Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, Prokuroria merr në pyetje ish-drejtorin e AKU

Hasanllari po pyetet në cilësinë e deklaruesit lidhur me inspektimet dhe kontrollet e ushqimeve. 

zh.ll
Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë,
Ersid Hasanllari

TIRANË- Ish-Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Ersid Hasanllari, është paraqitur këtë të martë në Prokurorinë e Tiranës në kuadër të hetimeve mbi helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë. Hasanllari po pyetet në cilësinë e deklaruesit lidhur me inspektimet dhe kontrollet e ushqimeve. 

Mësohet se pas tij do të pyetet edhe drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Flutura Polaci. Prokuroria synon të verifikojë nëse janë kryer kontrolle paraprake apo janë dhënë urdhra për inspektime që mund të parandalonin incidentin.

Ngjarja e rëndë në Akademinë e Sigurisë u raportua më 7 maj, ku 56 studentë të këtij institucioni përfunduan në spital, pasi dyshohet se u helmuan nga ushqimi gjatë konsumimit të vaktit të drekës. Pas konsumimit të drekës, studentët kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe kanë pasur simptoma të rënda, me të vjella dhe dhimbje barku. Ata janë transportuar në spital ku kanë marrë mjekim dhe janë rikthyer sërish në akademi. Policia njoftoi se janë arrestuar kuzhinieri dhe teknologia e kompanisë katering, ndërsa është shpallur në kërkim administratorja, Alma Tafani.

AKU ka bllokuar mbi 150 kg produkte ushqimore, si dhe vendosjen e një gjobe prej 100 mijë lekësh ndaj subjektit. ZËRI ka siguruar menunë ushqimore që kanë konsumuar studentët, ku është konstatuar uthull e kontaminuar me krimba./ZËRI

Poll

MOS HUMB