
TIRANË- Kushtrim Selimi dhe Rexhina Omeri, të dy janë përjashtuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vetëm një ditë pas arrestimit të zyrtares së AMP-së dhe gazetarit, Ervis Hasanaga. Ndërkohë që shefi i sektorit të AMP-së, Selimi është shpallur në kërkim. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, të tre këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin krijuar një portal ku publikonin lajme të rreme, me qëllim denigrimin e zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit.
Portali në të cilin publikoheshin këto informacione ishte i paregjistruar në ndonjë organ shtetëror apo në qendrën kombëtare të biznesit dhe nuk figuronte në pronësi të asnjë individi, pasi domain ishte i blerë jashtë Shqipërisë. Kështu që Selimi urdhëronte krijimin e lajmeve të rreme për kolegët e tij, në mënyrë që t'u zinte postin. Lajmet i përgatiste gazetari, i cili paguhej 600 euro çdo muaj për këto shkrime, megjithatë është e paqartë se cili ishte burimi i këtyre të ardhurave.
Lidhjen mes Selimit dhe Hasanagës, e bënte Rexhina Omeri, e cila dyshohet se kishte një marrëdhënie dashurie me kolegun e saj, të cilin pretendon se nuk e kishte pyetur kurrë se përse i porosiste këto shkrime. Madje vetë, pretendoi se nuk e dinte që po shkelte ligjin dhe se çështja do të merrte përmasa kaq të mëdha. Por tani ajo dhe gazetari do të përballen me drejtësinë, ndërsa Selimi është ende në kërkim nga Policia./ZËRI