Aktualitet

HISTORIA/ Si u krijua portali 'shqipnews' për të denigruar zyrtarët e Policisë nga shefi i AMP dhe mikesha e tij

Kaq mjafton për të shkatërruar imazhin e kujtdo. Një kompjuter, një gazetar që njeh rrjetet sociale, 600€ dhe pak fantazi!

f.g
HISTORIA/ Si u krijua portali 'shqipnews' për të denigruar
Kreshnik Selimi, Rexhina Zeqiri dhe Ervis Hasanaga

TIRANË- Ervis Hasanaga, gazetar u arrestua nga Policia e Tiranës me akuzën e falsifikimit kompjuterik, dy ditë pasi njësia e krimit kibernetik ishte vënë në lëvizje se një portal anonim ishte duke shpërndarë dizinformacion për disa nga zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit. Gazetari, i cili punën e parë kishte atë të gazetarit në A2CNN, ka rrëfyer me detaje para oficerëve mënyrën sesi është krijuar një portal online me qëllim krijimin e lajmeve të rreme për përfitime të porositësve. Historia e shqipnews.info, shërben si një panoramë e qartë e asaj që dëmton imazhin e medias në Shqipëri, por edhe sesa e lehtë mund të jetë sot aksesi në informacion e dizinformacion.

Për krijimin e portalit, gazetari rrëfen se u pajtua nga sekretarja e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore në Durrës, Rexhina Zeqiri. Zeqiri, një personazh që do të duhet të kishte informacion mbi ligjet e shtetit shqiptar, kontraktoi Ervisin, për të nisur gjuetinë e shtrigave në online. Portali ishte pa zyra dhe pa regjistrim zyrtar në QKB. ZËRI verifikoi dhe pa se edhe domaini u ble jashtë Shqipërie për të shmangur deklarimin e pronarit përfitues, që në këtë mënyrë aksioni i dizinformatave të vijonte me sukses.

"Ervis Hasanagan, para rreth 1 muaji, e ka kontaktuar një shoqe e bashkëshortes së tij e cila quhet Regina Zeqiri ose Omeri mbiemri, pasi Omeri me sa ka dijeni ai ka mbiemrin e bashkëshortit. Regina i ka thënë se punon sekretare në Sektorin e AMP në Drejtorinë e Policisë së Durrësit.Ai sqaron gjithashtu se me Reginën është njohur që prej vitit 2013 si dhe njëh dhe bashkëshortin e saj i cili quhet Fisnik Omeri që mesa di ai punon në Shërbimin Informativ dhe mbulon qytetin e Kavajës. Para rreth 2 muajsh, Regina i ka thënë se është e interesuar se si funksionon menaxhimi dhe mirëmbajtja e një faqeje web me lajme, si dhe rrjetet sociale të lidhura me këtë portal. Duke qënë se ky shtetas ka njohuri në menaxhimin e tyre ka filluar ti spjegoj pjesën e funksionimit të portalit dhe rrjeteve sociale. Pasi i ka shpjeguar nga ana teknike funksionimin e tyre Regina i ka thënë se: është një person që ka një faqe web dhe rrjetet sociale që do ti lidhi me këtë faqe (Instagram, Facebook, Tik Tok etj) dhe e ka pyetur nëse mund të jet i lirë për mirëmbajtjen, menaxhimin, hedhjen e lajmeve dhe rritjen e vizitorëve të faqes. Gjithashtu ajo i ka thënë për personin që disponon këtë faqe që e ka për punët e veta dhe nëse jo a njeh ndonjë person tjetër që mund ta bëjë këtë punë. Ervis Hasanaga i ka thënë se e merr përsipër për të bërë një gjë të tillë, por paraprakisht duhet të flisnin për një pagesë në lidhje me punën që do bënte. Regina i ka thënë se: Mendoje dhe vendos një shumë të arsyeshme dhe me thuaj dhe ai ka vendosur ta marr përsipër dhe i ka thënë Reginës që minimalisht pagesa muajore do të jetë 50.000 mijë lekë të reja. Regina ka rënë dakord dhe i ka thënë që të nisim punën dhe në këtë moment Regina i ka dhënë kredencialet e identifikimit të faqes,"-shkruhet në dosje.

Rexhina Zeqiri i premtoi 50.000 mijë lekë të reja Ervisit për të ngritur portalin, me një qëllim. Realizimin e objektivave të vendosur nga financuesi i portalit, shefi i AMP në Durrës, Kushtrim Selimi. Me nisjen e punës, nisën edhe qarkullimet e shkrimeve.  Artikuj të vjetër, të publikuar e të përgënjeshtruar në media të tjera u modifikuan për të përhapur lajme të rreme duke u bazuar në gjysmë të vërteta. Njëri prej tyre, tipik një lajm i rremë i përgënjeshtruar disa herë nga media të tjera, për dënimin e rremë të shefit të AMP, Tiranë, shërbeu që të niste hetimi se kush fshihej pas dorës që sulmonte Policinë.

"Shtetasja Regina Omeri është pyetur se kush është arsyeja që Kushtrimi kërkonte dhe publikonte lajme të tilla në portalin Shqipnews.info dhe ka deklaruar se nuk e ka idenë se përse e bënte Kushtrimi një gjë të tillë, por në disa biseda të shkurtra që ka kryer me të pa interes nga ana e saj i bënte për arsye personale pune. Është pyetur nëse ka dijeni për ndonjë përson tjetër të përfshirë në administrimin, futjen ndryshimin apo fshirjen e të dhënave në portalin Shqipnews.Info dhe ka deklaruar se nuk ka dijeni dhe as nuk ka qënë e interesuar që ta dinte. Siç ka deklaruar dhe më sipër di që me këtë portal merret Ervisi dhe lajmet ia dërgonte Kushtrimi."

Dora në fakt ishte gazetari Hasanaga, i cili në shqipnews, nuk punonte si gazetar por si një korrier i porosive të shkruara nga Zeqiri dhe Selimi. I punësuar në të zezë, Hasanaga nuk e mendoi dy herë a duhet ta publikonte shkrimin për akuzat e korrupsionit, trafikut të drogës apo prostitucionit, ose së paku të vinte në dyshim vërtetësinë e asaj që dy porositësit e lajmeve kërkonin.

Në dosje shkruhet: Ai nuk ka komentuar më por ka përgatitur lajmin bashkë me fotografinë, ja ka nisur Reginës për konfirmim sepse kështu bënte më cdo lajm që sillte Regina, dhe ajo ja ka konfirmuar për ta postuar. Pas konfirmimit të saj, ai e ka postuar lajmin në faqen e internetit shqipnews.info dhe në rrjetin social Facebook SHQIP NEWSS që i përket faqes Shqipnews.info.

Është një panoramë e ngjashme me atë të vrasjeve me pagesë, ku porositësit kërkojnë dhe killetat nuk kërkojnë arsye. Por kjo nuk do të duhet të ndodhte në media e kurrsesi as te një prej kolegëve tanë.

Redaksia e ZËRI e pasqyroi me dyshim arrestimin e gazetarit, për ta dalluar atë nga dy porositësit, deri në sigurimin e dosjes së plotë.

Nga dosja, zbulojmë se në fakt gazetari Hasanaga, në këtë uebfaqe nuk është në rolin e editorit të faqes, personi që krijon dhe ideon lajme por në atë të personit zbatues të krijimit të aksionit dizinformativ. Paratë e mirëmbajtjes, 600 €, iu dhanë gazetarit nga një djalë i paidentifikuar i cili bëri korrierin e parave mes Selimit dhe Hasanagës. Një pikë interesante në rrëfimet e gazetarit është përballja me një person anonim në Telegram, i cili me një numër italian e njofton se "portalin e hapëm se na duhet të kishim diçka tonën".

"Regina Zeqiri (Omeri) i ka thënë që do më kontaktoj një numër në telefon ndërsa ai i ka thënë se përse do të komunikoj pasi do që të merret më me këtë punë. Ajo i ka thënë se pa merak se nuk është gjë e keqe. Pas kësaj bisede Regina i ka thënë që të instaloj Telegramin dhe pasi e ka instaluar rreth orës 20:45 e ka telefonuar një numër italian në këtë aplikacion dhe pa u prezantuar i ka thënë se e hapëm portalin pasi donim të kishim diçka tonën dhe se për pjesën e pagesës nëse të pyesin si e ke marr thuaj që e ke marr me Cryptovalute(kriptomonedhe digitale). Ndërsa për pagesën e muajit Maj të cilën s’ja kishte dhënë akoma i ka thënë se ishte jashtë shtetit dhe se do ja jepte kur të kthehej dhe se do lidhej me “vajzën” (që nënkuptonte Reginën) pasi emrin nuk ja përmendi në asnjë moment. Më pas më tha që mbaje numrin tim për ç’farëdolloj gjëjë dhe se numri ishte +393510381342."

Gazetari nga sot, do të përballet në gjykatë me akuzën e falsifikimit kompjuterik, së bashku me Zeqirin, ndërsa Kushtrim Selimi vijon arratinë.

Kaq mjafton për të shkatërruar imazhin e kujtdo. Një kompjuter, një gazetar që njeh rrjetet sociale, 600€ dhe pak fantazi!/ZËRI

Poll

MOS HUMB