Aktualitet

Rrahën të dashurin e vajzës brenda në spital, burg për babain dhe dy të afërmit e tij

Eridion Canameti, me origjinë nga Burreli është dhunuar barbarisht nga babai, xhaxhai dhe një i afërm tjetër i të dashurës së tij.

k.m.
Rrahën të dashurin e vajzës brenda në spital, burg për
Foto ilustruese

DURRËS- Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për tre personat dhunuan në spital pretendentin e tyre për dhëndër, 32-vjeçarin Eridion Canameti. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e vonë të së hënës në urgjencën e spitalit, ku Policia kishte dërguar për kontroll shëndetësor një 32-vjeçar nga Durrësi, që drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Eridion Canameti, me origjinë nga Burreli është dhunuar barbarisht nga babai, xhaxhai dhe një i afërm tjetër i të dashurës së tij. Të tre personat, kanë mësyrë në spitalin e Durrësit, ku kanë dhunuar 32-vjeçarin, edhe pse ai ruhej nga punonjës të policisë. Tre agresorët, të lindur në Dibër, por banues në lagjen 13 Plazh Durrës, janë vënë në pranga dhe akuzohen për plagosje të lehtë e për prishje të rendit publik. 

I dhunuari ka deklaruar në polici se ka një lidhje dashurore prej një viti me vajzën dhe se ka kërkuar që ta bëjë familjare lidhjen, por është kundërshtuar nga të afërmit e saj. Ai ka deklaruar se ndodhej në spitalin e Durrësit në momentin që është dhunuar pasi ishte ndaluar nga policia për konsumim alkooli dhe ndodhej në gjendje jo të mirë shëndetësore. Ai gjithashtu ka marrë mesazhe kërcënuese nga babai i vajzës, i cili është shprehur se do t’i vriste të dy.

Shkaku i dhunës së ushtruar ndaj tij ishte një lidhje dashurie e kundërshtuar nga familja e vajzës. Babai dhe të afërm të saj, që dyshohet se e ndiqnin të riun, u futën në ambientet e spitalit dhe pasi kundërshtuan me forcë policinë, e rrahën atë duke e goditur me grushte në kokë dhe trup. Policia e Durrësit arrestoi në flagrancë tre shtetasit me origjinë nga Dibra dhe banues në plazhin e Durrësit, ndërsa 32-vjeçari pasi ka marrë ndihmën e duhur shëndetësore dhe ka dhënë dëshminë e tij, është lënë i lirë.

Gjyqtarja e seancës Entela Shedula, pasi dëgjoi palët, e vleftësoi të ligjshëm masën e sigurisë, "arrest me burg" në flagrancë të babait 41-vjeçar të vajzës dhe dy të afërmve të tij 37-vjeçarë. Ata akuzohen për veprat penale të “kundërshtimit të punonjësve të policisë” vepër e kryer në bashkëpunim, si dhe “plagosje të lehtë me dashje”. Sipas të plagosurit, familja e vajzës nuk e ka pranuar lidhjen e tyre dhe ai është kërcënuar me jetë nga babai i vajzës, i cili në telefon e ka kërcënuar se nëse nuk largohet nga Durrësi do ta vriste bashkë me të bijën./ZËRI

Poll

MOS HUMB