
TIRANË- Ditët e fundit ka ndodhur një boom i vjedhjeve të makinave luksoze në Tiranë, për të cilat hetuesit kanë dyshime se mund të përdoreshin në ngjarje kriminale. Në harkun kohor të 3 ditëve, dy mjete Range Rover, të modeleve të fundit janë vjedhur në zona të ndryshme të Tiranës. Policia i ka gjetur këto makina të vjedhura në zonën e Fushë Krujës dhe Thumanës.
Mjetet kanë qenë të parkuara në rrugë, dhe dyshohet se do të përdoreshin nga grupet kriminale që operojnë në këtë zonë. Megjithatë pavarësisht zbulimit të vendndodhjes së makinave të vjedhura, policia nuk ka mundur që të identifikojë dhe vërë në pranga autorët e grabitjeve.
Grabitësit dyshohet se kanë kontakte me bandat kriminale që operojnë në zonën e Fushë Krujës, dhe Kurbinit. Pas këtyre ngjarjeve, drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka thirrur një mbledhje urgjente me vartësit e tij, për të kaluar në sitë këto grabitje, dhe për të shkuar më tej në zbulimin e planeve të grupeve kriminale. /ZËRI