
TIRANË- Garda e Republikës ka shtuar masat e sigurisë fizike për gjyqtaren e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Irena Gjoka. Nga 4 truproja që i ishin vënë në dispozicion për ruajtjen e saj, Garda ka shtuar dhe dy të tjerë. Ata janë vendosur në banesën e gjyqtares.
Kjo e fundit ka në dorë dosjen e privatizimit të ish-klubit "Partizani", dosje që ka çuar para drejtësisë ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Raportohet se kjo masë ka ardhur pas sulmeve verbale të bëra ndaj gjyqtares nga Berisha.
Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor, dhe pas afro një muaj tashmë do të vijojë betejën e tij ligjore nga masa e arrestit të shtëpisë. Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, në truallin e të cilit dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ndërtuar 17 pallate. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Malltezi ka përfituar nga Berisha, asokohe kryeministër që të merrte pronën e ish-familjarëve të tij, dhe për ta kthyer atë në një kompleks banimi. Sipas prokurorisë së Posaçme, Malltezi kishte fituar më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall. Ndërkohë kryedemokrati Sali Berisha akuzohet për "Korrupsion pasiv" dhe është lënë në masën e sigurisë "Detyrim paraqitje"./Zëri.ai