
TIRANË- Artan Tafani foli! Teksa rrëfente për jetën e tij kriminale me bandën e Lushnjes, ka treguar shumë për marrëdhënien e tij me Laert Haxhinë, por edhe mënyrën sesi ai i afronte njerëzit afër tij. Mënyra sesi është e thjeshtë; paratë! Në dosjen e plotë hetimore të publikuar nga “Inside Story”, Marjus alias Artan Tafani, tregon se për ta futur në grupin e tij, Laerti i ka dhënë 1000 euro. Kaq ka mjaftuar për ta futur në grackë!
“Kemi darkuar të gjithë së bashku dhe Laerti më tha nëse doja të punoja për të dhe më dha 1000 euro që t'i kisha para xhepi,”-tregoi Artan Tafani.
Për punën e tij të parë, për një tritol të vendosur në banesën e Erion Çoku, pasi ky i fundit i kishte 3-4 mijë euro borxh. Për punën e bërë mori vetëm 200 euro. Ndërkohë që rrezikoi burgun dhe një hasmëri në qytet. Puna e dytë i erdhi për vrasjen e biznesmenit Çajup Selimi. Për të i kishte premtuar 25 mijë euro që nuk ia dha kurrë.
“Më pas, kam marrë në Tiranë edhe 1000 euro të tjera nga Luli për këtë ngjarje. Në total për këtë punë jam paguar 24 mijë euro edhe pse pazarin e kishim për 25 mijë euro. Në dijeninë time Goles iu premtua se do të merrte lekë për këtë ngjarje por nuk mori.”
Qartazi kishte pakënaqësi për premtimin e pambajtur nga Laerti. Përveç kësaj edhe mënyra sesi sillet me njerëzit e tij, ia solli kundër bashkëpunëtorin e tij më të afërt. Teksa e kishte kërkuar për të marrë ‘kokën' e Rexhep Ginës, sjellja e keqe i kushtoi shumë pasi vetëm për inat Tafani nuk e kreu punën. E kishte objektivin përballë dhe nuk e kreu punën! Ndërsa Haxhiu e shante në telefon dhe i premtonte se kurrë nuk do ta linte që të dilte nga rrethi i ngushtë nga ku ishte futur. Kthim nuk kishte pas, por Tafani po bënte dëm me aq sa mundet. Fillimi i zhgënjimit nisi nga mos realizimi i detyrave.
“Unë mund ta vrisja Rexhepin sepse kur kalova e kisha përballë por nuk doja. Kjo pasi Laerti më kishte nxehur shumë gjatë rrugës kur më merrte në telefon dhe bërtiste e shante. Laertit i thashë që nuk ishte aty.”
Duke qenë se e kishte futur “thellë” Tafanin, Laert Haxhiu kishte krijuar besimin se Tafani, edhe nëse kapej, nuk do të rrëfente, ashtu siç kishin bërë dy shokët e tij të ngushtë. Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili u përballën me dënim përjetë, por gojën nuk e hapën. Ngjarje që i krijoi vetëbesim tek të zgjedhurit e tij Haxhisë. Por Tafani i prishi skemën, i nxorri gjithë të palarat në dritë duke e zhytur edhe më shumë me drejtësinë. Prej tij, Haxhiu përballet edhe vetë me burg përjetë, që mund ta kishte evituar pa një ‘pentito’. Por gabimet i bëri dhe tani po u vuan pasojat…/Zëri.ai