
TIRANË- Në protestën që është duke u zhvilluar ditën e sotme përpara Gjykatës së Posaçme, një person ka tentuar që të djegë flamurin e Vorio Epirit, teksa në ambientet e brendshme, SPAK do të japë pretencën për Fredi Belerin. Policia ka shoqëruar Bledar Çakallin, i cili dyshohet se ka tentuar djegien e flamurit me simbole greke.
Bledar Çakalli, i njohur në rrjetet sociale si piktor i muraleve me simbole kombëtare dhe figura historike, së bashku me Arilda Lleshi dhe një person të tretë që nuk ka pranuar të identifikohet për mediat kanë protestuar para nisjes së seancës.
Prokurorët e SPAK pritet të japin konkluzionet për hetimin dhe të kërkojnë masën e dënimit për dy të pandehurit, Fredi Beleri dhe miku i tij Pandeli Kokaveshi, të cilët ndodhen në burg prej 12 Majit 2023 kur u arrestuan nën akuzën e blerjes së votave.
Tentativa për të djegur flamurin me simbole greke u bë gjatë kohës kur në Gjykatë po hynte kreu i PBDNJ, Vagjel Dule. Ky i fundit pak javë më parë, në një tjetër seancë për Belerin u qëllua me vezë nga disa qytetarë.
Ndërkohë që nuk mungojnë as thirrjet e disa qytetarëve në drejtim të punojësve të policisë: A jeni policia e Greqisë apo e Shqipërisë mor?
Fredi Beleri u arrestua në një lokal në Himarë, 2 ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit. Ai dyshohet se ka blerë vota, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshin. Beleri nuk ka kryer betimin, pasi gjykata nuk i ka dhënë leje për diçka të tillë. Çështja Beleri ka kaluar tashmë edhe kufijtë e Shqipërisë, duke u bërë “mollë sherri” edhe në marrëdhëniet me Greqinë./ZËRI