
TIRANË- Biznesmenia Vilma Nushi është paraqitur sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me padinë për shpifje të bërë prej saj ndaj deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi. Nushi është parë duke u futur në ambientet e GJKKO-së, e shoqëruar nga avokati i saj. Por edhe sot, gjyqi është shtyrë për shkak të mungesës së deputetes Vokshi, e cila ndodhet jashtë shteti.
Këtë të enjte pritej të lexoheshin konkluzionet nga Prokuroria e Posaçme, ndaj seanca e radhës u caktua në datë 19 qershor.
Seancat e mëparshme janë shtyrë vazhdimisht, pasi palët nuk kanë pranuar pajtimin. Madje, deputetja Vokshi ka paralajmëruar se do të paraqesë prova të tjera për të mbështetur akuzat publike që ajo ka bërë ndaj biznesmenes gjatë kohës që drejtonte Komisionin Hetimor për koncensionet në shëndetësi.
Vokshi, e cila ka qenë dhe kryetare e Komisionit Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë për dosjen e “Sterilizimit” është paditur për shpifje nga biznesmenia Vilma Nushi dhe shoqëria “3P Life Logistic”. Nushi akuzon Vokshin për “shpifje”, lidhur me deklaratat që ajo ka bërë në Komisionin e ngritur nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas pretendimeve, kompania pretendon se për 10 vite vlera e projektit për "Sterilizimin" është 63 milionë euro në total, dhe jo 130 milionë euro, siç ka pretenduar Vokshi./ZËRI