
TIRANË- Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 28-vjeçar, i cili lëvizte me armë zjarri pistoletë. I riu, i identifikuar si Fatbardh Mani është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi në automjetin që drejtonte i është gjetur një arma e zjarrit dhe municione. Bashkë me të arrestuarin ka nisur procedimi edhe për një 16-vjeçar që ishte me të, pasi akuzohet për moskallëzim krimi. Ndërsa në kërkim janë shpallur dy persona të tjerë, pronari i automjetit dhe përdoruesi aktual i makinës ku u gjet arma e zjarrit.
NJOFTIMI I POLICISË:
DVP Tiranë
Iu gjet armë zjarri pistoletë në automjetin që drejtonte, kapet dhe vihet në pranga nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, 28-vjeçari. Procedohet penalisht pasagjeri i automjetit, për moskallëzim krimi. Shpallen në kërkim 2 shtetas (pronari i automjetit dhe përdoruesi aktual i tij). Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe një sasi municioni luftarak. Si rezultat i kontrolleve të befasishme të kryera nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në automjete të ndryshme, është goditur një rast i armëmbajtjes pa leje. Në fshatin Domje, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. M. dhe pasagjer një shtetas 16 vjeç, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi fishekësh. Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vorë: -arrestuan shtetasin F. M., 28 vjeç, banues në Domje, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; -referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 16-vjeçarin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”; -u shpallën në kërkim shtetasit R. T., 24 vjeç, banues në Domje, pronari i automjetit, dhe V. B., 24 vjeç, banues në Domje, përdoruesi aktual i automjetit, pasi dyshohet se i ka dhënë automjetin 28-vjeçarit. Vijon puna për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e rastit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./ZËRI